E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, del nga shtrati lumi Buna, ministri Basha u bën thirrje banorëve të evakuohen



Lizeta Duro
Dalja e lumit Buna na shtrati ka krijuar probleme të tjera për banorët dhe qarkullimin e automjeteve në disa zona në Shkodër. Për shkak të fryrjes së këtij lumi dhe daljes së tij, situata e përmbytjeve, përveç zonave të Dajçit, Livadhës dhe Obotit, rrezikon të prekë dhe hyrjen e qytetit të Shkodrës. Për shkak të mospërmirësimit të kushteve atmosferike dhe situatës së përmbytjeve në rrethin e Shkodrës, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, bëri dje një mbledhje të Shtabit të Emergjencave. Gjatë mbledhjes Basha deklaroi se situata e përmbytjeve është përkeqësuar në 24 orët e fundit dhe u bëri thirrje banorëve më të rrezikuar nga përmbytjet të evakuohen. “Kemi fryrje të lumit Buna dhe të liqenit të Shkodrës. U bëjmë thirrje banorëve që rrezikojnë më shumë nga këto përmbytje, të evakuohen. Ne kemi marrë të gjitha masat për evakuim. Po inspektojmë të gjitha zonat e përmbytura”, - u shpreh Basha. Ministri i Brendshëm tha se prioritet është shpëtimi i jetëve njerëzore dhe se janë marrë të gjitha masat që banorët mos të rrezikojnë jetën. Reshjet e shiut të rëna me intensitet dhe shkarkimet e ditëve të fundit nga hidrocentrali i Vaut të Dejës sollën tejfryrjen e lumit Buna dhe të liqenit të Shkodrës, duke shkaktuar daljen e tyre nga shtrati, çka ka përmbytur një pjesë të zonës së Nën-Shkodrës, ku më të rrezikuara janë komuna e Anës së Malit dhe disa zona të tjera përreth. Lumi Buna ka gati dy ditë që ka dalë nga shtrati, duke qenë se e ka tepër të vështirë të vazhdojë rrjedhjen natyrale, pasi pengohet nga prurjet e lumit Drin, shkarkimet e liqenit të Shkodrës dhe ato të hidrocentraleve. Ndërkohë që reshjet e shiut në ato zona po vazhdojnë, specialistët parashikojnë rëndim të mëtejshëm të situatës. Edhe niveli i liqenit të Shkodrës në dy ditët e fundit është rritur ndjeshëm, duke përmbytur zonat përreth bregut. Përmbytjet e djeshme kanë prekur edhe fshatin e Murriqanit, në banesa dhe tokën bujqësore, ndërkohë që Oboti vazhdon të ngelet i izoluar për shkak të sasisë së madhe të ujit. Krahasuar me 2 ditë më parë, niveli i ujit dhe lartësia e tij në disa zona është rritur me 10-20cm, duke shkuar në mbi 1 metër në zonat e Obotit, Dajçit e Velipojës. Hyrja në këto zona bëhet vetëm me makina të tonazhit të lartë.
Masat
Për shkak të përmbytjeve të shumë shtëpive dhe tokave bujqësore, situata mbetet shqetësuese. Në të gjitha zonat janë ngritur shtabet e emergjencave për të mundësuar furnizimin me ushqime dhe ilaçe të banorëve që prej gati dy javësh ndodhen mes ujit. Furnizimi i tyre bëhet me mjetet e larta të ushtrisë ose me motobarka. Gjithashtu në gatishmëri të plotë janë edhe forcat e Policisë së Shtetit, të ushtrisë dhe të Shtabit të Emergjencave. Ndërhyrja e këtyre strukturave bëhet kur është i nevojshëm shpëtimi i jetëve të njerëzve dhe për të shpërndarë ushqime në të gjitha komunat ku niveli i ujit për shkak të reshjeve të pandërprera prej ditësh vjen duke u rritur dhe rrezikon banorët dhe shtëpitë e këtyre zonave.

Linjës së Unazës në Tiranë i shtohen edhe 10 autobusë të rinj
Gjatë ditës së djeshme, në linjën e Unazës u shtuan 10 autobusë të transportit publik urban. Sipas Bashkisë së Tiranës, autobusët e rinj që hynë në qarkullimin e kryeqytetit do të bëhen pjesë e projektit që kjo bashki ka për transformimin rrënjësor të linjës së Unazës. Linja e Unazës është ndër akset me numrin më të madh të pasagjerëve në shërbimin e transportit publik në kryeqytet. I pranishëm në prezantimin e këtij projekti, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, tha se Bashkia po merret me përcaktimin e standardit të mjeteve që do të ofrojë, ashtu dhe në prioritetin e zgjidhjes së rrugës së mjeteve, duke garantuar shpejtësinë e tyre dhe frekuencën e lëvizjes. Së shpejti do të bëhet rinovimi tërësor i Parkut të Mjeteve. Sipas Ramës, deri në muajin janar të vitit që vjen do të jenë gjithsej 30 mjete me standarde bashkëkohore dhe me kilometrazh zero, që do të plotësojnë inventarin e mjeteve të rinovuara në linjën e Unazës. Rama u shpreh se kjo ndërhyrje radikale, e cila do të vazhdojë gjatë muajve në vijim, në të gjitha linjat e transportit urban në kryeqytet, do të rrisë ndjeshëm cilësinë e transportit publik në kryeqytet. “Sot është një tjetër ditë e shënuar në përpjekjen e jashtëzakonshme dhe shumë të frytshme për ta rinovuar rrënjësisht transportin publik në Tiranë. Qytetarët e shohin dhe e prekin dhe sot që ne praktikisht shkojmë drejt përfundimit të rinovimit për linjën e Unazës së Tiranës, e cila me këta 10 autobusë të tjerë kalon në një numër të konsiderueshëm autobusësh tërësisht të rinj dhe besojmë në fund të janarit do të plotësohet përfundimisht, me vetëm autobusë të rinj. Po kështu, do të vazhdojë transformimi dhe rinovimi i të gjitha linjave të tjera dhe me këtë rast, nuk është e tepërt të them se dhe gjobat e marra për një shkelje, që nuk do të përsëritet më me abonetë, kanë bërë të vetën”, - u shpreh Rama. Kreu i Bashkisë tha gjithashtu se paketa e re e masave për përmirësimin e transportit publik në linjën e Unazës është një ndërhyrje, e cila parashikon zëvendësimin e të gjithë Parkut të Mjeteve në shërbim në këtë linjë, me mjete krejtësisht të reja, me kilometrazhin zero.

1 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›