Përmbytjet, deri tani 10.000 ha tokë nën ujë
Këto shifra u bënë të ditura sot nga Qendra Operacionale e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile në raportin më të fundit mbi situatën në Qarkun e Shkodrës, krijuar prej disa ditësh për shkak të rreshjeve të dendura të shiut dhe shkarkimit të ujrave nga hidrocentralet mbi lumin Drin. Sipas njoftimit, KNEC-i vazhdon të organizojë veprimet dhe të marë masat e nevojshme drejtpërdrejt nga terreni në të gjithë zonat dhe fshatrat e prekura nga përmbytja në qarkun e Shkodrës. Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile, pasi analizoi veprimtarinë në 24 orët e fundit të strukturave të ushtrise, policisë dhe të institucioneve të tjera, ngarkoi me detyrat përkatëse të gjitha strukturat e angazhuara në kuadër të emergjencës civile.Kështu, do të organizohen operacionet për furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë në komunat Dajç, Ana Malit dhe Velipojë. Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër të ndihmuara nga ato mbështetëse të Ministrisë së Brendshme, po organizojnë operacionet për ruajtjen dhe sigurimin e argjinaturave, akseve të rrugve, urave, duke bashkëpunuar me strukturat e tjera të ushtrisë për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe evakuimin e banorëve nga zonat e përmbytura.Strukturat e Forcave të Armatosura vazhdojnë operacionet e dërgimit të ndihmave ushqimore të ardhura nga rezervat e shtetit për komunitetin dhe bazës ushqimore për gjënë e gjallë për komunat Dajç, Velipojë, Guri i Zi, Bashkia Shkodër (lagjet Livadhe, Bahçallek dhe Ajasem). Gjithashtu, u ngarkuan me detyrë strukturat e Forcave të Armatosura për të përcaktuar pikat e kontaktit me strukturat e huaja të ardhura nga Maqedonia, Sllovenia, Greqia, Italia, hartimin e planit të bashkëpunimit dhe të operacioneve më qëllim futjen në veprim të tyre në ndihmë të komunitetit në zonat e përmbytura.