QNSA-ja hap studimet për master dhe doktoratë
Duke përshendetur këtë nisje, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, tha senisja e studimeve master dhe doktoratë nga kjo qendër është tregues i qartë i premtimeve të mbajtura të qeverisë. Sipas tij, shkollimi i të rinjve prej QNSA-së ka veçori krahasuar me studimet e tjera, pasi këto studime përbëjnë një bazë të mirë të kërkimeve shkencore. “Pranë Qendrës Ndërunivesitare të Studimeve Albanologjike janë ofruar studentë të shkëlqyer dhe kjo përbën një premisë bazë për mastera dhe doktorata shumë të mira, duke ruajtur statusin e qendrës më të mirë në nivel shkencor", theksoi ministri Tafaj. Ministri i Arsimit dhe Shkencës pohoi se kriteret e ekselencës ku mbështet punën QNSA-ja garantojnë nivel të lartë formimi për studiuesit e së ardhmes. Sipas tij, strategjia e qeverisë për arsimin dhe shkencën synon që brenda një periudhe të shkurtër, ta forcojë sistemin universitar dhe pasuniversitar të studimeve për ta ngritur sa më shpejt në standardet e afirmuara europiane. Ministri ndau në mënyrë ceremoniale diplomat për tre punonjës të QNSA-së me titullin “Profesor-Doktor”. Qendra e Studimeve Albanologjike, aktualisht me rreth 100 punonjës shkencorë e specialistë të kualifikuar, është një ndër institucionet ndëruniversitare e kërkimore të rralla, që vë në shërbim të formimit të thelluar të studentëve e kërkuesve të rinj nga një specialist për çdo student të pranuar në shkollat e Masterit e Doktoraturës.