E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Shkodër, fondi 10 milionë dollarë

09/02/2011  Komisioni i Ekonomisë diskuton aktin normativ. Kundërshtojnë Malaj e Harasani

Punimet për rehabilitimin e zonave të Shkodrës dhe Lezhës, të cilat u dëmtuan gjatë përmbytjeve të fundvitit të kaluar do të kushtojnë mbi 10 milionë dollarë. Me një akt normativ qeveria ka vendosur të ndërhyjë në sistemin hidrik për të parandaluar përmbytjet e tokave dhe godinave. Me këtë shumë do të financohen 14 ndërhyrje në lumenj, argjinatura dhe kanale kullimi. Ky akt normativ është diskutuar dje gjatë Komisionit të Ekonomisë dhe ka kaluar vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës, ndërsa është kundërshtuar nga deputetët e PS-së Arben Malaj dhe Andis Harasani. Ky akt normativ do të kalojë për votim pas pak ditësh në seancë plenare.

Ndërhyrja

Dhënia e fondeve me akt normativ përshpejton punimet, duke rritur sigurinë për vjeshtën e ardhshme. “Meqenëse në ligjin ekzistues të prokurimeve publike nuk gjejmë hapësirën e nevojshme për të proceduar në mënyrë të shpejtë, ne mendojmë që miratimi i këtij akti normativ do të na krijojë mundësinë që pa humbur asnjë ditë të fillojmë me hartimin e projektit të zbatimit. Ndërkohë dhe Ministria e Bujqësisë ka gati detyrat e projektimit në këto objekte dhe në momentin që kemi aktin normativ të miratuar do të fillojmë menjëherë për të bërë gati projektet e zbatimit. Mendojmë që një kohë prej dy muajsh do të ishte e mjaftueshme”, - u shpreh gjatë diskutimit të tij, Irfan Tarelli, drejtor i Mirëmbajtjes së Tokave dhe Ujërave.

Kundërshtimi

Deputetët e PS-së kanë kundërshtuar mënyrën sesi do të shpërndahen fondet. “Për mua zgjidhja nuk është me projekte pjesore dhe nuk është me projekte që ndërhyjmë në një argjinaturë, ndërhyjmë në një argjinaturë tjetër. Për mua duhet të ketë një plan total, të studiuar mirë dhe pastaj të veprohet. Kam frikën se po bëjmë të njëjtin gabim që bëmë para një viti apo para dy vitesh, ose të njëjtin gabim që është bërë 20 vjet për ta thënë më mirë, që ne investojmë, hedhim pesë lekë këtu pesë lekë aty dhe nuk zgjidhim problemin thelbësor”, - u shpreh Andis Harasani. Ndërkaq sipas ish-ministrit të Financave, Arben Malaj, ky angazhim i shprehur me një akt normativ nuk do të ketë ndonjë efekt pozitiv. “Mund ta bëjë dhe më të vështirë debatin për eficencën e parave tuaja. Ishin të nevojshme studime të mirëkoordinuara në dikastere të ndryshme të qeverisë shqiptare për ti dhënë një zgjidhje afatgjate, dhe jo për të bërë riparime pjesore dhe për ti kthyer”, - tha Arben Malaj. Akti normativ parashikonte rreth 1.2 miliardë lekë për këtë ndërhyrje dhe kaloi në Komisionin e Ekonomisë vetëm me miratimin e anëtarëve të mazhorancës, ndërsa dy deputetët e PS-së të pranishëm në komision abstenuan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›