E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, prokuroria nis "hetimin"

SHKODËR
Organi i akuzës në qytetin e Shkodrës ka nisur mbledhjen e dokumentacionit dhe rregulloreve për funksionimin e digave

Pritet të verifikohet mënyra e funksionimit të derdhjeve të hidrocentraleve dhe mënyrën se si funksionoi në kaskadën e Drinit

TIRANË- Kur kanë kaluar 12 ditë nga hapja e portave të hidrocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vau të Dejës, që solli përmbytjen e rreth 12 mijë hektarëve tokë e afërsisht 2600 shtëpive në qarkun e Shkodrës, prokuroria nis "hetimet".

Hapja e portave shkaktoi përmbytjen e shumë fshatrave të Bashkisë së Shkodrës dhe Komunave për rreth saj, duke sjellë dëme të konsiderueshme të pasurive të ngritura prej vitesh nga banorët e zonave.

Lajmi konfirmohet nga burimet pranë organit të akuzës në Shkodër, të cilët saktësuan se "hetimi" ka dy ditë që ka filluar, duke verifikuar të gjitha shkresat dhe rregulloret për mënyrën e funksionimit të HEC-eve në veriperëndim të vendit që prej 12 ditëve ndodhen nën ujë.

"Nuk kemi bërë ende regjistrimin e procedimit penal për një vepër konkrete, por sipas legjislacionit dhe rregulloreve në fuqi, institucionit të akuzës i lejohet të kryejë verifikimet përkatëse mbi mënyrën e funksionimit të punës në Hidrocentralet e vendit.

Bëhet fjalë për ato mbi kaskadën e Drinit, për të parë se kur dhe në çfarë rrethanash lejohet hapja e portave të shkarkimit, që sollën përmbytjen në Shkodër"- thanë burimet. Sipas tyre, verifikimi ka nisur duke i kërkuar institucioneve që kanë në varësi këto HEC-et, raporte të hollësishme mbi procedurat e ndjekura dhe rregulloret që duhen zbatuar në hapjen e digave.

"Me anë të shkresave zyrtare, i kemi kërkuar institucioneve në varësi të Ministrisë së Energjetikës, konkretisht Korporatës Energjetike të Shqipërisë (KESH) raporte të hollësishme për mënyrën e menaxhimit të HEC-eve dhe vendimin për hapjen e portave të tij.

Njëkohësisht, është kërkuar që të bëhet një përmbledhje e gjendjes së HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vau të Dejës që nga muaji nëntor e deri në ditën e hapjes së digave nga tre hidrocentraleve,- thanë burimet e akuzës.

Gjithashtu mësohet se institucioni i akuzës, brenda afatit një javor do të kryejë disa verifikime për të parë nëse ekziston ndonjë element i veprës penale të "Shkatërrimit të pronës me përmbytje" të parashikuara në nenin 153 si dhe "shpërdorimit të detyrës" të parashikuar në nenin 248 të Kodit Penale për zyrtarët apo punonjësit e këtyre HEC-eve që kanë vendosur hapjen e digave, duke shkaktuar përmbytjen masive të fshatrave në qarkun e Shkodrës.

Nëse konstatohet ndonjë elementë i këtyre veprave penale, prokuroria do të bëjë regjistrimin e procedimit penal ku do të merren nën hetim një sërë zyrtarësh dhe punonjës të këtyre HEC-eve në veriperëndim të vendit.

Ndërkaq, burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme të pyetur nga "Shekulli" për "hetimin" e filluar në Shkodër nuk pranuan të komentojnë, duke mbajtur një qëndrim as pohues dhe as mohues. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria, mësohet se hapja e digave të HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës ka filluar në pas orës 22:00 të darkës së datës 2 janar 2010.

Me hapjen e këtyre portave të HEC-eve uji i liqenit të Drinit në vendin e bashkimit me lumin Buna e ka "mundur" këtë të fundit, duke mos e lejuar të shkarkohet në Drin por të fryhet duke shkaktuar përmbytjen në zonën e qarkut të Shkodrës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të shpërndarë gjatë ditës së djeshme për media, konfirmohet se janë përmbytur 11.400 ha tokë, 2649 shtëpi janë përmbytur si dhe 5148 persona janë evakuuar në qarkun e Shkodrës me rrethinë.

DYSHIME PËR AKUZËN
Neni 153
Shkatërrimi i pronës me përmbytje

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me përmbytje dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 248
Shpërdorimi i detyrës

Kryerja ose mos kryeja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mos përmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale dënohet me burim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300 mijë- 1 milionë lekë.

U përurua në vitin e kaluar, rrezikon ujësjellësi i Velipojës

Problem përbën stacioni i furnizimit me ujë të pijshëm të fshatrave, sidomos të komunës së Velipojës. Ky stacion, një investim i realizuar vitin e kaluar, është në gjendje kritike pasi uji jashtë objektit është 2,5 metër.

Drejtori i ujësjellësit të fshatit, Flourenc Shoshi, thotë se stacioni është në fushën e Trushit, në një kuotë shumë të ulët, 4 metër nën tokë, - shprehet Shoshi.

- Stacioni ka furnizon 11 fshatra të Velipojës. Kemi 6 ditë thuajse të ngujuar, 5 punonjës dhe po përpiqemi ta shpëtojmë stacionin. Jashtë uji ka arritur tek dritaret, dyert i kemi mbuluar me thasë.

Shpresojmë që niveli të uilet e uji të mos hyjë brenda. Kemi një varkë dhe dy polumbarë të ushtrisë që qëndrojnë jashtë për të ndërhyrë në rast nevoje", përfundon Shoshi, teksa ulja e nivelit të ujit të lumenjve gjatë ditës së djeshme përbën një shpresë për të.

Nis thellimi i grykëderdhjes së Bunës, bie niveli i në Shkodër

SHKODËR - Nisi dje puna për thellimin e grykëderdhjes së Bunës, çka ka ndikuar në mënyrë të menjëhershme në uljen e nivelit të ujit në qytetin e Shkodrës, por edhe në fshatrat përreth.

Niveli i lumit Buna ka pësuar ulje ndërsa një dragë e fuqishme nga Mali i Zi ka filluar punën në deltën e këtij lumi duke bërë lirim të ngushtimit të saj nga materialet e depozituara, gjë që ka sjellë dhe një shkarkim më të madh në det.

Gjithashtu, ulja e nivelit të shkarkimeve nga portat e hidrocentraleve mbi Drin dhe ndërprerja e reshjeve ishte një tjetër ndihmë e madhe. Deti ka ndikuar pozitivisht pasi ka pasur zbaticë që ka thithur ujin e Bunës.

Në lagjet "Bahçallëk" e "Ajasëm" uji ka zbritur me 40 cm, por ende është i pranishëm në banesave e oborreve të këtyre lagjeve. Qarkullimi në lagjen Xhabije, është më i lehtë. Banorëve po u dërgohen ndihma ushqimore nga ajri dhe në qiellin e Shkodrës janë parë mjaft lëvizje helikopterësh.

Problem paraqesin fshatrat e përmbytur në komunën e Velipojës dhe të Bushatit, ku uji është në sasi të madhe. Në Bushat janë përmbytur 2500 ha tokë e 250 shtëpi. Sipas kryekomunrit, Zef Hila, problem mbete ushqimi i blegtorisë, pavarësisht ndihmave.

Ministria e Brendshme: Të mërkurën, 150 shtëpi u zhytën në ujë

Sipërfaqja e përmbytur në rrethin e Shkodrës, si dhe numri i shtëpive nën ujë ka vijuar të rritet edhe përgjatë ditës së mërkurës, pavarësisht situatës optimiste pas thellimit të grykëderdhjes së Bunës.

Shifrat zyrtare të publikuara nga Ministria e Brendshme tregojnë që ndërsa të martën bëhej fjalë për një sipërfaqe prej 10400 hektarësh nën ujë, të mërkurën kjo sipërfaqe shënon 1000 hektarë më shumë. Gjithashtu, i rritur është edhe numri i banesave, që nga 2499 kanë shkuar në 2649 shtëpi.

Bazuar po në këto shifra rezulton se uji ka përparuar më shumë në komunën e Bushatit ku prej së martës në të mërkurë 150 shtëpi janë zhytur në ujë. Ndërkohë, po sipas shifrave zyrtare në këtë komunë përgjatë 24 orëve u zhytën në ujë 700 ha, teksa 300 ha u përmbytën në një ditë në komunën Bërdicë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›