Përpjekja për të vrarë Ahmadinexhadin... ishte fishekzjarr
Një zhurmë shpërthimi 100 metra larg makinës së Presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad, ka alarmuar eskortën e tij dhe ka nxitur të gjitha mediat e botës të shkruajnë për një tentativë vrasjeje të dështuar kundrejt tij. Presidenti iranian kishte deklaruar të hënën, pas arrestimit të një grupi në Teheran, se “sionistët idiotë kanë punësuar mercenarë për të më vrarë mua”. Shpërthimi ndodhi në qytetin perëndimor, Hamadan. Një burim nga zyra e Ahmadinexhadit tha fillimisht se konvoji i tij ishte në shënjestër, ndërsa Presidenti po udhëtonte nga aeroporti i Hamadanit për të mbajtur një fjalim në arenën lokale të sporteve dhe ai nuk u lëndua, por ka pasur të plagosur nga shpërthimi. Raportimet e para flisnin edhe për një të arrestuar. Televizioni “Al Arabiya” tha se një sulmues ka hedhur një bombë pranë makinës së Ahmadinexhadit përpara se të arrestohej. Sipas televizionit me bazë në Dubai, bomba e prodhuar me dorë kishte goditur një makinë me gazetarë dhe stafin presidencial. Por agjencia zyrtare e lajmeve në Iran, IRNA, tha se shpërthimi pranë konvojit të Presidentit ishte një fishekzjarr i hedhur nga një fans i tij, duke i mohuar raportimet e para për tentativë vrasjeje. Edhe dëshmitarë në vendngjarje kanë konfirmuar për “Associated Press”, se shpërthimi ishte fishekzjarr. “Ishte fishekzjarr nga ata që hidhen në stadium, i cili bëri shumë zhurmë dhe tym pranë vendit ku unë po qëndroja, - tha Amin Mehrabi për AP, duke shtuar se - shumë njerëz e kanë filmuar ngjarjen me celularët e tyre”. Takimi në stadium shkoi siç ishte planifikuar dhe u transmetua në televizionin shtetëror. Gjatë fjalimit Ahmadinexhad nuk e përmendi sulmin, por u fokusua në programin nuklear, duke përdorur një gjuhë të ashpër kundër Perëndimit, për shkak të presionit që po i bënte vendit të tij mbi aktivitetin nuklear.