Përplasen inferiorët, Kupa njeh tetë të kualifikuarit e parë
Kupa e Shqipërisë ngre siparin me tetë ndeshjet e para, ku u përballën 16 skuadra për të përzgjedhur tetë të kualifikuarat për në turin e dytë. Çlirimi arriti të sigurojë një kualifikim në kohën shtesë, duke mundur me rezultatin 0-1 Naftëtarin e Kuçovës dhe në raundin tjetër do të ndeshet me Luzin, i cili fitoi ndeshjen në tavolinë 2-0 për shkak të mosparaqitjes së Përparimit. Mamurasi ka triumfuar 2-0 ndaj Korabit dhe në ndeshjen e turit tjetër do të presë Ilirinë, e cila mori një fitore të thellë 4-2 përballë Erzenit. Vlora e Rrapo Tahos fitoi 2-1 me Këlcyrën dhe në turin e dytë do të ndeshet me Delvinën, që nuk ka treguar aspak mëshirë ndaj Himarës, të cilën e ka shkatërruar me rezultatin 5-0. Një fitore të rëndësishme 2-1 ka arritur edhe Domosdova në ndeshjen përballë Maliqit. Kundërshtari i tyre në turin tjetër do të jetë ekipi i Tomorit të Beratit, i cili mundi me rezultatin 2-0 fqinjët e tyre nga Përmeti.