Përplaset nga furgoni, gjen vdekjen 48-vjeçari
Një aksident tragjik ka ndodhur paraditen e së shtunës në rrethin e Fierit. Ka qenë ora 11.30 e ditës së djeshme, kur 48-vjeçari Adriatik Ferko ka mbetur i vdekur pas përplasjes me një furgon pasagjerësh. Viktima mësohet se ka qenë duke udhëtuar me biçikletë, ndërkohë që një furgon që ecte me shpejtësi tej normave të lejuara e ka marrë zvarrë për më shumë se 10 metra. Drejtuesi i mjetit me targa FR 4255C, Agim Lamaj, nuk ka mundur të kontrollojë furgonin, pasi udhëtonte me shpejtësi të madhe, edhe pse ishte në rrugë fshati. Pas ngjarjes, ai dhe pasagjerët kanë zbritur nga mjeti, ndërkohë që 48-vjeçari Adriatik Ferko kishte gjetur vdekjen e menjëhershme. Mësohet se policia e qarkullimit rrugor, pasi ka kryer ekspertizën e vendit të ngjarjes, si edhe pas sigurimit të dëshmive, ka arrestuar autorin Agim Lamaj, banor i fshatit Levan, nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Viktima nuk është dërguar në morg, por është marrë nga familjarët e tij.
Ma. Tr.
Ma. Tr.