E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset nga mjeti, përfundon rëndë në spital

24/03/2009  Po lëvizte me biçikletë

SHKODER- Pakujdesia në prerjen e rrugës dhe shpejtësia tej normave të lejuara është bërë dje shkak i një aksidenti të rëndë rrugor në rrugët e qytetit të Shkodrës. Një shtetas është dëmtuar rëndë, pasi është përplasur nga një automjet. Burimet policore shprehen se një shtetas 54-vjeçar, teksa po ecte me biçikletë është aksidentuar nga një autoveturë. Përplasja ka qenë mjaft e fortë saqë personi që po ecte me biçikletë ka “fluturuar “disa metra tutje vendit të ngjarjes, ndërkohë që biçikleta është ndarë më dysh. Pas këtij aksidenti, blutë që shkuan menjëherë në vendngjarje kanë bërë dërgimin e të aksidentuarit në spitalin rajonal të Shkodrës, ku mjekët pas mjekimit përkatës, po e mbajnë nën mbikëqyrje, pasi gjendja e tij shëndetësore është mjaft e rëndë. Ndërkohë forcat e policisë kanë shoqëruar dhe drejtuesin e mjetit për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Sipas dëshmitarëve okularë, 54-vjeçari ka prerë pa kujdes rrugën dhe është përplasur me mjetin që po kalonte me shpejtësi jo të vogël në lagjen “Xhabije”. Gjithsesi grupi hetimor ka kryer ekspertizën e nevojshme për të nxjerrë përgjegjësitë në këtë aksident me një të plagosur rëndë. Gjithsesi aksidentet automobilistike janë shpeshtuar kohët e fundit në rrugët e Shkodrës, ndërsa është regjistruar një numër jo i vogël të plagosurish dhe të vdekur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›