E Diel, 1 Nëntor 2026

Riatdhesohen 28 shqiptarë, tentuan të mbërrinin në Itali nga Sllovenia

08/04/2005  Rikonfirmohet rruga e re e trafikimit të qenieve njerëzore

SHKODËR - Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë, policia doganore e pikës së kalimit kufitar Bozhaj, të Malit të Zi, ka kthyer në pikën shqiptare të kalimit kufitar, Hani i Hotit, 28 shtetas shqiptarë, të kapur si emigrant klandestinë. Burimet theksojnë se personat e riatdhesuar ishin qytetarë të rretheve të ndryshme të Shqipërisë dhe përkatësisht 9 nga Vlora, 7 nga Shkodra, 3 nga Tirana, 3 nga Lezha, 3 nga Kruja, 1 nga Durrësi, 1 nga Burreli dhe 1 nga Dibra. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se këta shtetas, kishin pasur si qëllim emigrimin në shtetin italian.

Trafiku

Deri më tani nga policia është arritur që të sqarohet itinerari që është ndjekur nga këta shtetas për të arritur deri në vendin e ëndrrës së tyre, Itali. Në bazë të informacioneve, këta shtetas janë nisur nga Shqipëria në drejtim të Maqedonisë, për të kaluar më pas në Kosovë. Në mënyrë klandestine, ata kanë arritur që të kalojnë kufirin në këmbë nga Kosova në drejtim të Malit të Zi dhe më pas kanë “thyer“ kufirin kroat, duke kaluar në territorin e këtij shteti, ku megjithë masat e marra nga ky shtet për kontrollimin e emigrantëve klandestinë, këta të fundit kanë mundur t’i shmangin kontrollet e shumta kufitare dhe kanë kaluar në shtetin slloven, ku kanë qenë në pritje të kalimit të kufirit për të dalë në veri të Italisë.

Por duke qenë se kohët e fundit është shtuar shumë numri i personave, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende të tjera e sidomos nga vendet e ish-republikave ruse që duan të emigrojnë në Itali, nëpërmjet Sllovenisë, shteti slloven i ka shumëfishuar kontrollet e personave të huaj në të gjithë territorin e tij dhe veçanërisht përgjatë gjithë vijës kufitare me Italinë. Si pasojë e këtyre kontrolleve, theksojnë burimet, shtetasit nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, nuk kanë mundur dot që të kalojnë kufirin dhe kanë filluar që të bien në sy të policisë sllovene si të dyshuar, teksa silleshin për disa ditë afër zonave kufitare.

Pas ndalimit nga policia dhe verifikimit të pasaportave të tyre, doli se vetëm nga një pjesë të shteteve që kishin kaluar ishte vendosur vula e kalimit kufitar, gjë që i shtoi më tepër dyshimet për një kalim të mundshën klandestin të kufirit.

Hetimi

Deri tani hetimet paraprake si dhe shkëmbimi i informacioneve ndërmjet shteteve dhe sidomos të policisë shqiptare me atë malazeze nuk kanë nxjerrë në pah asnjë emër të ndonjë trafikanti që ka bërë organizimin për dërgimin e këtyre shtetasve në Itali. Aktualisht është duke u hetuar në të gjitha shtetet nga kanë kaluar këta shtetas, për të parë nëse kemi të bëjmë me një grup trafikantësh shqiptarë, apo kemi një bashkëpunim ndërmjet trafikantëve rajonalë të qenieve njerëzore.

Burimet jozyrtare shprehen se të ardhurat që dalin nga ky trafikim janë të konsiderueshme, pasi personat e interesuar për të emigruar tani janë duke i paguar trafikantëve 2000 deri në 2500 euro secili, kur për të njëjtën rrugë të ndjekur një vit më parë trafikantët e kishin tarifën për të kaluar klandestinët në Itali, 1000 deri në 1200 euro.

Ky nuk është rasti i parë i kapjes dhe kthimit në pikën kufitare të Hanit të Hotit të shtetasve shqiptarë, pasi në dy vitet e fundit tentativat për kalimin klandestin nëpërmjet shteteve të ish-Jugosllavisë, janë shtuar dukshëm, duke bërë që edhe numri i të kapurve të jetë i madh.

9 klandestinë nga Vlora

7 klandestinë nga Shkodra

3 klandestinë nga Tirana

3 klandestinë nga Lezha

3 klandestinë nga Kruja

1 klandestin nga Durrësi

1 klandestin nga Burreli

1 klandestin nga Dibra

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›