Shembja e pallatit, vetëm 4 fajtorë
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Tragjedia e pallatit të shembur “përgjysmohet” në gjykatë. Me vendimin e djeshëm për ngjarjen që shënoi tre viktima, trupi gjykues liroi 3 prej 7 të pandehurve të fundit si dhe uli nga 23 në 6 vjet burg, dënimin për pronarin e firmës së ndërtimit. Vendimi u komunikua dje nga kreu i seancës gjyqësore, Desard Avdulaj, një ditë pas 1-vjetorit të tragjedisë. Avdulajt i është dashur të lexojë para një salle të mbushur plot nga familjarë të të akuzuarve dhe banorë të pallatit që u rrënua. Presidenti i firmës “Arti shpk.” Sotiraq Janora, është dënuar me gjashtë vjet burg, ndërkaq ish-sekretarja e KRRT-së së Gjirokastrës, Afërdita Papamihali, në bazë të këtij vendimi do të duhet të vuajë 2 vjet e 6 muaj heqje lirie, si dhe 500 mijë lekë gjobë. Admir Shehaj, ish-inspektor në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, me 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë, dhe në fund Gjergji Meçi inxhinieri i firmës së ndërtimit “Arti sh.p.k” u dënua me 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë. Veç kësaj, trupi gjykues ka vendosur për të katër të pandehurit heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare. Mbi të akuzuarit e këtij procesi gjyqësor rëndojnë akuzat e “vrasjes nga pakujdesia”, “shkatërrimit të pronës”, si dhe “shpërdorimit të detyrës”. Këta persona u shpallën fajtorët e vetëm për tragjedinë e ndodhur më 9 nëntor të vitit 2008, ku nga shembja e pallatit vdiqën 3 banore dhe shumë të tjerë mbetën të pastrehë. Gjykata e Gjirokastrës ka nxjerrë të pafajshëm nga kjo ngjarje Alfred Mamanin, Petrit Maksutin dhe Leonard Musafarajn, përkatësisht ish-përgjegjës në zyrën e Urbanistikës dhe punonjës të policisë bashkiake.
Fill pas këtij vendimi ka reaguar prokuroria, nëpërmjet kreut të saj, Alfred Saliaj. Gjatë pretencës dy javë më parë, organi i akuzës, i përfaqësuar nga Alfred Saliu dhe Arben Pasho, kishte kërkuar shpalljen fajtor të shtatë të pandehurve për veprat penale të “vrasje në rrethana të cilësuara”, “shkatërrim i pronës me dashje” dhe “shpërdorim detyre”, duke kërkuar dënimin e tyre në total me 37 vjet heqje lirie dhe 2.5 milionë lekë gjobë. “Ne do ta apelojmë në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, në lidhje me grupin e të akuzuarve për rrëzimin e pallatit”, kanë pohuar me një deklaratat për shtyp përfaqësuesit e akuzës, duke e cilësuar krejtësisht të padrejtë vendimin e sotëm dhënë nga kreu i trupit gjykues, Desard Avdulaj. Sipas prokurorisë, ndonëse ngjarja e datës 9 nëntor 2008 ka pasur tre viktima, nga ana e gjykatës i pandehuri kryesor Sotiraq Janora, është deklaruar fajtor vetëm një herë për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”. “Vendimi i gjykatës është i padrejtë dhe përsa i përket fajësisë së zyrtarëve të Bashkisë së Gjirokastrës, të ngarkuar me mbikëqyrjen e punimeve të ndërtimit”, pohojnë burimet zyrtare nga organi i akuzës. Kjo e fundit në pretencën e saj, pati kërkuar për Sotiraq Janorën gjithsej 23 vjet burg për tri vepra penale, ndërsa për gjashtë të akuzuarit e tjerë, nga dy dhe tre vjet burg si dhe gjoba. Gjykata vendosi të çlirojë nga akuzat ish-përgjegjësin e Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë e Gjirokastrës, Alfred Mamanin, si dhe ish punonjësit e Policisë Bashkiake, Petrit Maksutin dhe Leonard Mustafaraj. Ky i fundit mësohet se nuk kishte lidhje me akuzën e ngritur nga prokuroria, pasi nuk ishte pjesë e kësaj strukture në momentin e ndodhjes së tragjedisë. As avokatët nuk kanë pranuar vendimin, pasi pretendonin pafajësi për klientët e tyre.
VENDIMI
Sotiraq Janora, presidenti i firmës dënohet me 6 vjet burg Afërdita Papamihali, ish-sekretare e KRRT-së, 2.6 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë Admir Shehaj, ish-inspektor Ndërtimor, 2 vjet burg dhe gjobë 500 mijë lekë Gjergji Meçi, inxhinieri i firmës së ndërtimit, 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë