E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje tek demokristianët

Tiranë -Përplasjet midis demokristianëve duket se do të vazhdojnë gjatë. Partia e drejtuar nga Anton Gurakuqi ka reaguar ashpër ndaj Nard Ndokës, duke e akuzuar për lojëra politike dhe të pamoralshme qe po bën me emrin e demokristianëve shqiptarë.

“Siç kemi deklaruar edhe më parë, se Ndoka nuk përfaqëson demokristianët shqiptarë dhe frymën e tyre, prezantimi i kandidatëve për deputet në qarkun e Dibrës nën siglën e PDK-së, tregon më së miri se ky person që është në prag të pensionit politik është drejtues i fraksionistëve të Partisë Demokracia Sociale”-theksoi Gurakuqi.

Kreu i PDK-së, Gurakuqi tha se kandidatët e paraqitur nga Ndoka, kanë qenë pjesë e partisë së Paskal Milos dhe kandidat për këtë forcë politike në vitin 2005.

“PDK deklaron se Ndoka and Company duhet ta harrojnë përfundimisht se mund të luajnë dhe nëpërkëmbin vlerat demokristiane, aq më tepër kur këtë gjë tentojnë ta bëjnë me mercenarë të marrë hua apo të blerë nga parti të majta.Ndërkaq, PDK e ka bërë zgjedhjen e saj politike dhe në bazë të vullnetit të të gjithë demokristianëve të vërtetë shqiptarë do të bashkëpunojnë me PD-në dhe Kryeministrin Berisha për të maksimalizuar fitoren e Koalicionit të Qendrës së Djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti”-vijon deklarata e Gurakuqit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›