E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshëndetja e Presidentit të Republikës, Bamir Topi në Konferencën Ndërkombëtare të Eurorajonit të Adriatikut.

Shkodër, më 21 shtator 2007

Përshëndetje zonja dhe zotërinj!
I nderuar z. Zv/Kryeministër!
Të nderuar zotërinj deputetë dhe ministra!
I nderuar z. Jakovçiç, President i Eurorajonit të Adriatikut!
Miq dhe të ftuar!

Është një kënaqësi dhe privilegj për mua që të marr fjalën e përshëndetjes për Konferencën e tretë të Eurorajonit të Adriatikut, një takim mjaft i rëndësishëm i vendeve që lagen nga ujërat e detit Adriatik: Shqipëria, Italia, Sllovenia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi. Kjo Konferencë i jep shanse të gjitha këtyre vendeve që të rikthejnë në vëmendje traditat e secilit vend, që t’i rikthehen një bote të re të komunikimit për të qenë pjesë e një aspirate të përbashkët, për të qenë pjesë e familjes europiane.

Kjo Konferencë sot, jo rastësisht mbahet në qytetin e Shkodrës, një qytet, i cili jo vetëm ka një histori të lashtë, por aktualisht në ditët e sotme, Shkodra rrezaton me resurset e veta intelektuale dhe qytetare në të gjithë jetën e vendit, qoftë në politikë, qoftë në zhvillimin ekonomik, qoftë në jetën akademike, qoftë me vlerat e vërteta intelektuale të këtij qyteti, ndaj ne jemi mjaft të lumtur që këtë takim e bëjmë pikërisht në këtë qytet.

Konferenca e sotme nuk është gjë tjetër vetëm një rikthim te ai komunikim, që vendet tona kanë patur shekuj më parë. Shekuj më parë, ne kemi rastin të kujtojmë nëpërmjet referencave të historisë komunikimin që kemi patur qoftë në aspektin politik e diplomatik, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në shkëmbimin e vlerave reciproke të këtyre vendeve dhe jo rastësisht, Eurorajoni i Adriatikut është një nismë e re, por mbi bazën e një historie të vjetër.

Ka mjaft studime për Adriatikun. Të gjithë e konsiderojmë pjesë të një ekosistemi, një det të mbyllur, por pjesë e Detit Mesdhe, me mundësi të mëdha, qoftë për zhvillimin e agrokulturës, për zhvillimin e turizmit dhe të mjaft elementeve të tjerë, që lidhen me nocione nga më modernet të ekoturizmit. Për Adriatikun ne kemi patur gjithmonë një admirim të veçantë, sepse te Adriatiku ne kemi parë jo vetëm bukuritë që i jep natyra, por kemi parë edhe rrugët e natyrshme të komunikimit mes vendeve fqinje dhe me Europën. Unë kam rastin këtu që të përmend mjaft studime të viteve të fundit, që janë bërë për Adriatikun kryesisht në nivelin e monitorimit të ndotjeve ambjentale në Adriatik: për çështjen e algave të gjitha këto studime kanë qenë në funksion të sigurisë ushqimore së banorëve të këtij rajoni mjaft interesant.

Sot jemi në një moment të ri kur jo vetëm politika, por besoj edhe biznesi, edhe shkenca, e gjithë bota akademike e vendeve respektive po ringjall vlerat e vërteta historike dhe kulturore të këtyre vendeve për një zhvillim të stabilizuar ekonomik, për shkëmbime kulturore, sepse vendet tona kanë një pasuri jashtëzakonisht të madhe që vjen nga brezat, por natyrisht edhe një pasuri tjetër shpirtërore, që inspiron për zhvillime të reja në të gjithë rajonin tonë.
Aspirata e Shqipërisë ka qenë, është dhe do të mbetet që të jetë pjesë e familjes europiane, dhe padyshim kemi mundësi dhe rrugë të shumta që ta realizojmë këtë gjë. Një nga mundëitë që na jepet në këtë linjë është pikërisht Konferenca e sotme, të cilin ju keni zgjedhur për ta mbajtur në Shkodër. Shkodra është mjaft e bukur. Shqipëria është mjaft e bukur. Mjaft të bukura janë edhe vendet e tjera, që janë pjesë e këtij projekti. Unë jam pro rikthimit në kujtesë për disa gjëra që duhen riaktivizuar, duhen të rigjallërohen edhe në aspektin mjedisor. Këtu jemi shumë afër lumit të Bunës, një lumë shumë i bukur që dikur ka qenë i lundrueshëm. Kur them dikur, kam parasysh në vitet e para të shekull XX. Që të gjithë kemi rastin dhe kemi patur rastin të na rikthehet ky moment në kujtesë nëpërmjet fotografive të mrekullueshme të Marubit, ku anijet tregtare hynin deri pranë qytetit të Shkodrës. Ky realitet nuk është më sot, por ne jemi të bindur që me kontributin e politikës, me kontributin e institucioneve, me kontributin tonë të përbashkët, ne do të kemi projekte të përbashkëta që edhe në këtë qytet, i cili ka vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore, të bëjmë rigjallërime në funksion të së ardhmes dhe të brezave.

Në këtë qytet ku ne jemi mbledhur sot, kemi një universitet me mjaft traditë, i cili do të edukojë breza në funksion edhe të këtyre politikave që shpalosen sot. Unë jam i bindur që ky projekt duhet të realizohet nëpërmjet komunave, rajoneve dhe qarqeve, dhe jeni ju promotorët e vërtetë të një zhvillimi shumë specific që vjen nëpërmjet linjës së decentralizmit, linjës së pushtetit vendor.

Pa e zgjatur do t’ju uroja për këtë iniciativë, e cila sa vjen e konsolidohet. E di që ju sot do të bëni zgjedhjet e reja në këtë Asamble. Duke ju uruar punime të mbara, shpresoj që kjo konferencë do të japë shanse më të mëdha që këto lidhje të konsolidohen, të marrin vlera të vërteta institucionale në favor dhe në zhvillim të të gjitha vendeve tona, në funksion të jetës së qytetarit të çdo vendi, sepse të gjithë janë qytetarë të Europës. Edhe një herë punime të mbara dhe faleminderit për ftesën!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›