E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton qytetin e Shkodrës.

21 shtator, 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori pjesë sot në hapjen zyrtare të Konferencës ndërkombëtare së Eurorajonit të Adriatikut, që u mbajt në qytetin e Shkodrës.

Eurorajoni i Adriatikut ka 22 anëtarë të qarqeve dhe pushtetit lokal nga Italia, Sllovenia, Kroacia, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria. Shqipëria përfaqësohet me 5 anëtarë nga Qarqet e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Fierit dhe Vlorës.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm Zv/Kryeministri, Gazmend Oketa, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, Zv/Ministri i Brendshëm, Fedinand Pone, Presidenti i Erurajonit të Adriatikut, Ivan Jakovçiç, përfaqësues të Këshillit të Europës, deputetë të zonës së Shkodrës, Kryetari i Qarkut të Shkodrës, Gjovalin Kolombi, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.

Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Presidenti Topi vuri në dukej rëndësinë e këtij takimi për shkëmbimin e përvojave mes vendeve anëtare të Eurorajonit të Adriatikut në fushën e turizmit, mjedisit, agrokulturës, po ashtu edhe për promovimin e vlerave historike, kulturore dhe mundësive të zhvillimit në këto aspekte në vendin tonë e veçanërisht në Shkodër, si një qytet me tradita dhe vlera intelektuale të kahershme.

“Sot jemi në një moment të ri kur jo vetëm politika, por besoj edhe biznesi, edhe shkenca, e gjithë bota akademike e vendeve respektive, po ringjall vlerat e vërteta historike dhe kulturore të këtyre vendeve për një zhvillim të stabilizuar ekonomik, për shkëmbime kulturore, sepse vendet tona kanë një pasuri jashtëzakonisht të madhe që vjen nga brezat, por natyrisht edhe një pasuri tjetër shpirtërore, që inspiron zhvillime të reja në të gjithë rajonin tonë.” – u shpreh Presidenti gjatë fjalës së tij përshëndetëse.

Dhe të tjerë personalitete, që morën fjalën në këtë Konferencë theksuan domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes vendeve anëtare të Eurorajonit të Adriatikut për mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, turizmit, agrokulturës si dhe zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për zonat që lagen nga Deti Adriatik.

Në vijim të vizitës së tij në qytetin e Shkodrës, Kreu i Shtetit u ndal në Rektoratin e Universitetit “Luigj Gurakuqi” ku u prit nga Rektori i këtij Universiteti, Mahir Hoti si dhe nga drejtues, pedagogë e studentë të këtij institucioni arsimor. Në prani dhe në respekt të tyre, Presidenti Topi inaguroi sallën e rikonstruktuar të Senatit, ku më pas pati edhe një takim edhe me anëtarët e Senatit ku është shprehur: “E kam për nder që pritem nga stafi i këtij Universiteti, i cili mbush 50 vjet. Universiteti është vetëm një koncentrat i pasurisë së brezave dhe unë besoj në historinë e tij, që mbart vlera tradicionale të brezave të hershëm shkodranë. Salla e re e Senatit është një përpjekje për të rikthyer brezat që kanë drejtuar Universitetin. Ndër vite, qoftë në jetën time studentore, qoftë profesionale dhe politike kam patur miq nga Shkodra, të cilët kanë demonstruar vlera të spikatura qytetarie. Ka një përcaktim gjenetik për mënyrën se si është zhvilluar Shkodra. Në gjenetikë njihen genotipia dhe fenotipia. Ky qytet ka kaluar shumë procese, të cilat i kanë prekur pjesën e tij të jashtme, pra fenotipinë. Por nuk i kanë prekur genin, i cili po ripërtërihet. Shkodra ka vlera kombëtare, sepse është kryeqendër e traditës.”

Gjithashtu Presidenti Topi pati një komunikim dhe me studentë dhe asitentë pedagogë të Universitetit “Luigj Gurakuqi,” gjatë të cilit vlerësoi nivelin akademik të Universitetit të Shkodrës, që shprehet edhe në vizionin e qartë për perspektivën të bazuar në traditën e vyer, në bashkëpunimin me universitetet e vendeve të tjera, në vënien në zbatim të kurrikulave bashkëkohore, por edhe në përgatitjen me përkushtim e me profesionalizëm të studentëve. Kryetari i Shtetit nënvizoi se arsimi shqiptar aktualisht po përballet me sfida të reja, që kërkojnë kapacitete dhe kualitete të larta dhe në këtë kontekst, vizioni i botës akademike merr një vlerë dhe rëndësi të veçantë për orientimin e dijeve dhe energjive të brezit të ri për arritjen e standardeve të kërkuar integruese.

Pasi u takua dhe u përshëndet nga afër me studentët dhe pedagogët, Presidenti Topi përshkoi në këmbë shëtitoren në qendër të qytetit për t’u ndalur në Bibliotekën e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ku zhvilloi një takim me anëtarë të Këshillit të Qarkut të Shkodrës dhe atij Bashkiak. Në fjalën mikpritëse, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Bardhyl Lohja dhe Nënkryetarja, Esmeralda Uruçi vlerësuan ardhjen e Kreut të Shtetit dhe paraqitën vizionin e Këshillit për të ardhmen e Shkodrës.

Ndërsa Presidenti Topi, pasi vlerësoi mikpritjen, që është pjesë e traditës së Shkodrës, dha mesazhe institucionale për këshilltarë bashkiakë dhe ata të qarkut. “Opozita e sotme është mazhoranca e së nesërmes. Ky është rregulli kryesor i demokracisë dhe është shumë domethënës fakti që Këshilli Bashkiak dhe Këshilli i Qarkut janë strukturat ku projektohen vullnetet me një vizion të përbashkët, i cili duhet të jetë vizioni i së ardhmes. Pushteti qendror detyrimisht duhet të delegojë kalimin e kompetencave te pushteti vendor edhe në funksion të këtij vizioni, por edhe detyrimeve ndaj Kartës së Autonomisë Vendore. Është një proces që nuk po ecën lehtësisht, por është i domodoshëm.” – ka theksuar Presidenti Topi. Më tej duke nënvizuar rolin e këshilltarëve si përfaqësues të vullnetit të qytetarëve, Presidenti është shprehur: “Kam një mesazh të hapur për ju; harmonia dhe objektiviteti në marrjen e vendimeve do t’i sigurojnë Qarkut të Shkodrës zhvillimin në drejtimin e duhur. Bindjet politike janë të dobishme kur ato i shërbejnë debatit konstruktiv. Qarku i Shkodrës është ndër prioritetet kombëtare të vendit. Ka shumë resurce, jo vetëm si dhuratë e natyrës, por edhe resurse njerëzore. Ashtu si kudo, edhe këtu ka patur tendenca emigrimi, por vlerësoj se sot ka interesa të tjera. Jam i bindur se Shkodra do të dijë të thithë edhe ata qytetarë që janë larguar, sepse njeriu kthehet në vendlindje e natyrisht këtu ka shumë rëndësi zhvillimi ekonomik, prandaj ju të gjithë së bashku duhet të projektoni atë të ardhme që Shkodra e meriton. Një nga vlerat më të spikatura të Shkodrës janë vlerat e komunikimit njerëzor dhe këshilltarët duhet të japin mesazh të stabilitetit social, t’u japin hapësira dhe mundësi qytetarëve që të zhvillojnë aktivitetin e tyre duke hequr pengesat artificiale. Sa më shumë hapësirë të jepet, aq më shumë do të zhvillohet qyteti dhe do të shndërrohet në qendër të rajonit. Duhet të dini të rigjeneroni politika të qarta për Shkodrën, njëlloj siç vepron organizmi që duhet të jetë autosufiçent dhe jo të mbahet me injeksione. Shkodra i ka dhënë gjithnjë vlera të spikatura njerëzore vendit tonë. Mendoni për Shkodrën, sepse është një kontribuese shumë e rëndësishme për interesat kombëtare!”

Gjatë qëndrimit në Shkodër, Presidenti vizitoi edhe një sipërmarrje private të prodhimit të këpucëve dhe maskave.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›