E Shtunë, 31 Tetor 2026

Personazhet që "gatuan" krizën ekonomike

Bankierët
Alan Greenspan, shefi i Rezervës
Federale 1987-2006
Vetëm dy vjet më parë, njeriu që ka
shërbyer më gjatë në Rezervën Federale,
i betuari i tregut të lirë, personi që drejtoi
ekonominë amerikane në të gjitha krizat,
që nga shembja e bursës në vitin 1987,
deri në situatat që pasuan 11 shtatorin
2001, kishte statusin e një "ylli", e madje
cilësohej si "orakulli i financës", apo "maestro".
Sot, pozita e tij ka ndryshuar dhe
Alan, pa dyshim, është një nga më fajtorët
e kësaj situate. Ai fajësohet për indiferencën
ndaj zhvillimit të së ashtuquajturës
"flluska" e shtëpive, e cila lindi dhe mori
përmasa të mëdha pikërisht falë përqindjeve
të ulëta të interesit dhe mungesës së
rregullatorëve në dhënien e kredive. Të
gjitha këto i kishte në dorë Rezerva Federale.
Greenspan ishte mbështetësi i të
ashtuquajturave kredi të dorës së dytë,
Kriza më e madhe ekonomike, që nga koha e
Depresionit të Madh, nuk është një fenomen natyror,
por një katastrofë e shkaktuar nga njerëzit, në të
cilën të gjithë kemi luajtur pjesën tonë. Ja kush janë
disa nga individët që e çuan botën në këtë ditë
pra kredive problematike dhe i nxiti kredimarrësit
që të preferonin këstet e ndryshueshme
dhe jo ato të përcaktuara, çka i
fuste në krizë, kur interesat befas rriteshin.
Për shumë vite Greenspan vazhdoi të
mbronte biznesin në lulëzim të derivativave,
që thuajse nuk ekzistonte fare kur
Alan mori në dorë çelësat e Rezervës Federale,
por që në vitin 2002 u konsiderua si
një biznes shumë fitimprurës. Miliarderë
si George Soros dhe Warren Buffet duhet
të kenë qenë shumë të shqetësuar në
lidhje me këto zhvillime. Soros personalisht
nuk i preferonte këto lloj makinacionesh,
pasi asnjëherë nuk e kuptoi se si
funksiononin, ndërkohë që Buffet
strategjinë e Greenspan e përshkroi si "një
armë të shkatërrimit në masë". I pashqetësuar
nga çfarë thoshin për të,
Greenspan bëri gjithë sa kishte në dorë
për të mbrojtur tregun nga çdo lloj rregulli
i panevojshëm. Në vitin 2003, ai deklaroi
para Komitetit të Bankave pranë Senatit:
"Derivativët kanë qenë një mjet shumë i
dobishëm dhe i jashtëzakonshëm i transferimit
të riskut nga ata që nuk e duan, tek
ata që e duan dhe janë të aftë ta menaxhojnë".
Muajt e fundit, gjithsesi, ai pranoi
më në fund se disa nga teoritë te të cilat
kishte besuar prej një kohe të gjatë kishin
dalë të pasuksesshme për krizën aktuale
financiare. Ai ka thënë: "Është një nga ato
kriza që ndodhin një herë në shekull",
ndërsa vjeshtën e kaluar tha: "Jam tërësisht
i tronditur".
Mervyn King, guvernator i
Bankës së Anglisë
Kur Mervyn King vuri këmbën në zyrën
e tij, motori i ekonomisë britanike ndodhej
në një fazë të mirë. Prodhimi Kombëtar
Bruto po rritej me 3%, ndërsa inflacioni
ishte 1.3%. Në mbledhjen e parë të politikave
monetare të bankës që ai drejtoi,
tha se për të bërja e politikave monetare
ishte diçka "e mërzitshme". Sa do të donim
që kjo të kishte zgjatur për King. Kur nisën
shenjat e para të krizës, ai ngulmoi se
bëhej fjalë për një krizë të shkurtër dhe
lokale. Javët e para ai refuzoi të fuste
likuiditete në sistemin financiar, duke
ngulmuar se disa nga bankat nuk duheshin
shpëtuar. Sot, të gjithë mendojnë
se ai duhej të kishte vepruar menjëherë
dhe jo ta linte situatën të mahisej. King
dhe stafi i tij ishin dritëshkurtër në vizionimin
e situatës. Ata duhet ta kishin vënë
re afrimin e recesionit dhe të kishin ulur
sa më shpejt të ishte e mundur përqindjet
e interesit.
Politikanët
Bill Clinton, ish-president i
SHBA-së
Atij i atribuohet një pjesë e fajit për situatën
aktuale të kaosit financiar. Clinton
forcoi ligjin e riinvestimit të komunitetit të
vitit 1977, që i detyronte huadhënësit të
ishin më fleksibël me rregullat dhe t‘i krijonin
përparësi kredisë, për kredimarrësit
me probleme më të mëdha e më në
nevojë. Në vitin 1999, ai shfuqizoi ligjin që
ndante bankat tregtare, të cilat pranonin
depozita dhe bankat e investimeve që
investonin e merrnin përsipër risqe. Kjo
lëvizje e Clinton-it i dha hapësirë fillimit
të epokës së superbankave.
George W. Bush, ish-presidenti i
SHBA-së
Clinton e nisi rrokullisjen e "topit" të
kredive të dorës së dytë, ndërsa administrata
e Bushit sigurisht që nuk bëri ndonjë
gjë për ta ndaluar katastrofën. Ai as që e
mori mundimin që të vendoste rregulla në
"Wall Street" dhe kjo rezultoi shumë e
dëmshme.
Phil Gram
Ish-senator amerikan nga Teksasi,
avokat shumë i zellshëm i tregut të lirë, me
një doktoraturë në ekonomi që luftoi për
çrregullimin e tregut. Puna e tij u inkurajua
shumë nga administrata e Clinton-it,
e cila i dha liri "lulëzimit" të derivativave.
Në vitin 2001, ai tha gjatë një debati në
Senat: "Disa njerëz i konsiderojnë kreditë
e dorës së dytë si të ishin djalli vetë. Unë
personalisht shoh te to ëndrrën amerikane
në veprim". Sipas "New York Times", nga
viti 1989 deri në vitin 2002 ai ishte personi
kryesor që merrej me kontributet për fushatat
zgjedhore të bëra nga bankat kryesore,
si edhe nga vetë "Wall Street". Gjatë
një seance dëgjimore në prill të vitit 2000,
ai tha: "Kur ndodhem në ‘Wall Street‘, aty
pulson nervi i kapitalizmit amerikan, kuptoj
se çfarë ka bërë pikërisht ky kapitalizëm
për popullin e Amerikës".
Wall Street/Bankierët
Abby Cohen, shefja e strategjisë
së "Goldman Sachs"
E quanin "demi i përjetshëm". Dikur
renditej në krye të listës së grave më të fuqishme
në Shtetet e Bashkuara. Pas një
periudhe të gjatë lavdie dështoi keqas në
parashikimin e uljes së vlerës së aksioneve.
Kathleen Corbet, ish-shefe e
"Standard & Poor‘s"
Agjencitë e kreditimit ishin ndër të parat
që në fillim të krizës financiare u akuzuan
për dështim në paralajmërimin e
rreziqeve. Kathleen Corbet ndodhej në
krye të njërës prej tri agjencive të mëdha të
Shteteve të Bashkuara deri në gusht të vitit
2007, pas shumë kritikave të ashpra. Ajo
vetë deklaroi se e kishte planifikuar prej
kohësh largimin dhe se nuk ishte vënë nën
presion për një vendim të tillë. Megjithatë
Corbet konsiderohet si përgjegjëse e
shumë manovrave joligjore mes agjencisë
dhe bankave.
"Hank" Greenberg, grupi i sigurimeve
AIG
Tashmë 83-vjeçar, Hank ka qenë bosi i
AIG. Ai ngriti një nga bizneset më të mëdha
të këtij lloji në botë. Kjo agjenci kishte kredituar
shumë biznese dhe ishte shumë e
ekspozuar ndaj risqeve e si pasojë humbjeve.
Kur nisi kriza, agjencia përjetoi menjëherë
një krizë të rëndë likuiditeti, duke
pasur nevojë të menjëhershme për 85 miliardë
dollarë ndihmë nga qeveria amerikane
për të shmangur kolapsin. Me gjithë
paratë që morën nga shteti për të shpëtuar,
shefat e mëdhenj të agjencisë nuk hoqën
dorë nga bonuset e tyre të majme vjetore.
Andy Hornby, ish-shef i HBOS
Ka qenë shumë i respektuar për zgjuarsinë
e tij. Në Harvard u rendit i pari në 800
studentë, por strategjia e tij në kohën e
krizës rezultoi e paefektshme.
Sir Fred Goodwin, ish-shef i
Bankës Mbretërore të Skocisë
Dikur ishte biznesmeni i preferuar i
Kryeministrit britanik, Brown, ndërsa tani
Brown skuqet i tëri nga nervat kur flet për
të. Strategjia e tij e mbrapshtë, e aplikuar
në bankën e Skocisë, e zhyti atë keqas në
humbje. Aktualisht, 70% e bankës është
pronë e qeverisë.
Adam Applegarth, ish-shef i
"Northern Rock"
Applegarth kishte ambicie shumë të
mëdha, por modeli i biznesit të tij u shemb
me ardhjen e krizës së kredive. Fatmirësisht
ai u largua në kohën e duhur nga banka me
gjithë bonuset e majme, duke ia lënë përballimin
e humbjes së turpshme
pasardhësit. Tani e kalon kohën e lirë duke
shpenzuar paratë e duke luajtur kriket.
Dick Fuld, shefi ekzekutiv i "Lehman
Brothers"
Kriza e kredive kishte kohë që ishte bërë
prezente, por falimentimi i "Lehman Brothers"
në shtator do të kishte një ndikim katastrofik
në të gjithë ngjarjen që pasoi, kryesisht
në përhapjen e frikës. Richard Fuld,
shefi ekzekutiv, tha se ndihej keq që qeveria
amerikane nuk e shpëtoi bankën e tij, siç
bëri me disa banka të tjera. Fuld kishte
dhjetëvjeçarë të tërë që punonte në atë
bankë dhe shpesh e kishte shpëtuar nga
situata të këqija. Ai e inkurajonte shumë
ndërmarrjen e rreziqeve dhe banka ende
po investonte në pronat e paluajtshme në
treg.
Lewis Ranieri
"Kumbari" i kredive për shtëpi banimi
që aplikoi për herë të parë obligacionet për
kredi në vitin 1980. U bë i famshëm edhe
për shprehjen: "Kreditë për shtëpi janë
matematikë". Në vitin 2004, "Bussiness
Week" e renditi mes emrave si Bill Gates dhe
Stiv Jobs, me motivacionin si një nga mendjet
më të ndritura të 75 viteve të fundit. Në
vitin 2006 ai paralajmëroi rreziqet që erdhën,
por ishte tepër vonë.
Chuck Prince, ish-shef i "Citi"
Shkollimi i tij ishte në drejtësi, e megjithatë
Prince ngriti bankën më të madhe në
botë me struktura që përfshinin investimet
bankare dhe menaxhimin e fondeve
të mëdha të klientëve të pasur. Kur të
ardhurat nisën të pakësohen në vitin 2007,
ai ngulmoi se situata do të kalohej lehtësisht,
por e pushuan nga detyra pas disa
humbjeve të njëpasnjëshme shumëmiliardëshe.
Për të lehtësuar dhimbjen e papunësisë,
ai i dha vetes një bonus prej 140
milionë dollarësh.
Stan O‘Neal, ish-shef i "Merrill
Lynch"
U shndërrua në një nga viktimat më të
famshme të krizës së kredive, kur humbi
besimin e bordit të bankës në fund të vitit
2007. Kur u emërua në krye të bankës 4 vjet
më parë, O‘Neal, i pari afro-amerikan në
krye të një firme në "Wall Street", u betua
që të ndryshonte imazhin konservativ të
bankës. Pak pas largimit të tij, banka pranoi
8 miliardë humbje. Një vit pas kësaj, ajo
kaloi në "duart" e Bankës së Amerikës.
Të tjerë
Christopher Dodd, shef i Komitetit
të Bankave në Senat
(demokrat)
Në mënyrë të vazhdueshme shmangu
të gjitha përpjekjet për vendosjen e rregullave
më të forta në financat dhe linjat e
kreditimit. Nga njëri prej institucioneve më
të mëdha të kreditimit "Fannie Mae dhe
Freddie Mac" merrte dhurata të vazhdueshme,
më shumë se çdo kongresmen
tjetër.
Geir Haarde, Kryeministri i Islandës
Sapo njoftoi dorëheqjen, pas
protestave të ashpra antiqeveritare në
lidhje me keqmenaxhimin e krizës financiare.
Tetorin e kaluar, tri bankat më të
mëdha tregtare falimentuan, duke u zhytur
në borxhe miliona dollarësh. Vendi thirri
në ndihmë FMN-në. Kryeministri, në
njoftimin e dorëheqjes, tha se kishte kancer
në grykë.
Publiku amerikan
Ky është një fakt i padiskutueshëm:
politikanët mund ta kenë bërë lëmsh
sistemin financiar dhe bankierët lakmitarë
të "Wall Street", edhe pse dështuan bankat
dolën të fituar e të pasur nga e gjithë kjo
histori, por kjo nuk do të kishte ndodhur
nëse miliona amerikanë do të kishin kuptuar
se po merrnin shumë më tepër hua
nga sa kishin mundësi të paguanin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›