Perspektiva kombëtare dhe ndërkombëtare e kombit shqiptar
Nga Gjon KEKA*
Përderisa kombet dhe popujt demokratikë dhe të civilizuar kanë arritur të ndërtojnë infrastrukturën e tyre kombëtare dhe ndërkombëtare, kombet dhe popujt në Ballkan ende jetonin me të kaluarën dhe primitivizmin e tyre të nacionalizmave të skajshëm dhe ekstremë. Pra, vendet e Ballkanit kishin mbetur peng i konflikteve dhe luftërave të brendshme ndëretnike dhe pre e doktrinave të errëta të historisë dhe mbeturinave të dështuar të saj. Bota demokratike dhe e civilizuar, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e këndej, ka pasur një zhvillim të hovshëm ekonomik dhe të strategjisë së zhvillimeve të tjera gjigande që jo vetëm se kaluan përmasa kombëtare, por ato u bënë pjesë e zhvillimeve moderne dhe të papërsëritshme në historinë e zhvillimeve politike dhe ekonomike të globit. Nëse mund të hedhim një shikim, që bota sot krenohet me arritjet e saj, ne duhet vetëm të shikojmë mënyrën e qasjes së tyre
qoftë në aspektin e brendshëm të proceseve gjeopolitike dhe gjeostrategjike që ndodhën, atëherë mund të themi se mundja e primitivizmit dhe moszhvillimit i tejkaloi përmasat e një bote ku njeriu më nuk është pjesë e saj në proces, por edhe bërës i ngjarjeve të mëdha brenda procesit historik të zhvillimit të gjithëmbarshëm të saj. Mund të marrim shembuj mjaft tërheqës që jo vetëm se janë shenja të një civilizimi, por edhe pjesë e zhvillimeve moderne dhe atij gjigandizmi ekonomik që i tejkalon përmasat normale, duke arritur kështu në shkallën e civilizimit të kompletuar apo edhe të tejkaluar të saj, shembujt e mëdhenj që janë edhe shenja të mëdha zhvillimore si p.sh.: autostradat apo superstradat në SHBA, Kanada, Australi, Itali, Austri, Gjermani etj.
Këto vende në botën e civilizuar dhe demokratike arritën të ndërtonin një infrastrukturë moderne në shërbim të sferave kombëtare, duke bërë kështu më të lehtë mënyrën dhe qasjen e përbashkët ndërkombëtare, ato nga zhvillimi i brendshëm arritën të bënin lidhje të qëndrueshme të infrastrukturës me botën demokratike të vendeve të tjera. Strategjia e këtyre vendeve ishte e qartë, në shërbim të së mirës së vendit, rajonit dhe të bashkimit të qëllimeve dhe historisë duke bërë kështu që rruga jo vetëm t'u shërbejë interesave kombëtare, por edhe te jetë si një pjesë kardiale e zhvillimeve të gjithëmbarshme ndërkombëtare.
Duke mos shkuar më tutje në zhvillimet gjigande të infrastrukturës së vendeve të civilizuara demokratike perëndimore, ne do të fokusohemi në rëndësinë historike dhe simbolikën e kësaj autostrade si dhe procesin e plotë të kombit shqiptar drejt qëllimeve të integrimit rajonal dhe atë në strukturat euroatlantike.
Në përgjithësi, proceset e zhvillimeve në të gjitha sferat në siujdhesën ballkanike nuk kanë qenë të admirueshme dhe as të hovshme dhe marramendëse, kjo pjesë e rëndësishme e botës dhe Evropës nuk kishte arritur t'i shuante hasmëritë dhe urrejtjet e brendshme nacionaliste dhe as instinktet e tepruara rrënuese. Të gjitha vendet u bënë pjesë e një arene lufte, ku e keqja ishte bërë pjesë e çdo shteti dhe politike, doktrine të saj. Proceset historike të kombeve në Ballkan nuk kishin elemente që përmbanin ruajtjen e identitetit të tyre, por më tepër kishte si qëllim gërshetimin e tyre, ata nga urrejtja nga njëri-tjetri arritën të humbnin edhe sensin real dhe origjinalitetin, sepse duke kërkuar të gllabëronin njëri-tjetrin ata arritën në stadin më të ulët të së keqes shtazore dhe nacionalizmi u priu të gjitha proceseve deri të shpërthimi i vullkaneve etnike dhe kombëtare që çuan ujë në lirinë e popujve dhe kombeve deri te arritja e qëllimeve kombëtare të tyre.
Ndërsa tani në shekullin XXI kombi shqiptar po ecën drejt proceseve të arritjeve historike, por edhe kombëtare, ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, pastaj anëtarësimi në NATO, aplikimi i shtetit shqiptar për shtet anëtar i Unionit Evropian, të gjitha këto kanë karakter kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, sepse në një anë u shërbejnë interesave dhe i lidh fijet e këputura kombëtare të kombit shqiptar, ndërsa në anën tjetër përfiton rajonalisht duke lidhur marrëveshje dobiprurëse ekonomike dhe kulturore, tregtare etj., etj., ndërsa ndërkombëtarisht ajo do ta bënte kombin shqiptar si një faktor kyç të lidhjeve të mëdha historike, por edhe si një arritje evropiane dhe ndërkombëtare, ku në një mënyrë apo tjetër kombi shqiptar do ta lidhë ardhmërinë e tij dhe vizionin e tij të zhvillimeve modern me proceset e përbashkëta euroatlantike dhe globale. Kombi shqiptar nuk do të kishte arritur deri këtu po të mos kishte përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare veçanërisht SHBA-së. Edhe proceset e tanishme të kombit shqiptar drejt faktorizimit apo më mirë të themi drejtë bërjes së kombit shqiptar si një aktor i rëndësishëm i siujdhesës ballkanike dhe proceseve të përbashkëta ndërkombëtare tregojnë qartazi se në sajë të ndihmës ndërkombëtare dhe në sajë të qëndresës së kombit shqiptar në mënyrë këmbëngulëse ndaj proceseve të reja të demokracisë dhe zhvillimeve moderne ekonomike, ajo po e plotëson projektin më të madh të saj në histori, integrimin në familjen e saj evropiane. Suksesi i shtetit shqiptar dhe shqiptarëve në përgjithësi lidhet ngushtë me përpjekjet e tyre për liri dhe për të qenë të barabartë si të gjithë popujt e tjerë demokratikë dhe modernë, por këtë përpjekje ajo e ka bërë realitet duke pasur miq të mëdhenj që rrallë në historinë e popujve dhe kombeve ndodhin këto, siç është SHBA, vendet e tjera përkrahëse në proceset e kombit shqiptar për t'u zhvilluar dhe mbjellë demokracinë dhe lirinë në vendet e tyre. Mund të themi me plot bindje se tërë proceset e kombit shqiptar që pas lënies pas krahëve të komunizmit dhe hyrjes në tranzicionin e saj demokratike, pastaj hyrja në NATO, aplikimi në EU dhe ndërtimi i rrugës kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare Durrës-Kukës janë projekte të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht SHBA dhe shtetit shqiptar.
Dhe krejt në fund, kombi shqiptar në shekullin XXI po hyn në tri faza të rëndësishme të historisë së tij: e para, në përmbushjen e proceseve të rëndësishme historike të ndërtimit të një shtetit demokratik dhe prosperues e juridik, e dyta, e proceseve ekonomike dhe moderne, si dhe e treta, e proceseve të rëndësishme të integrimit të saj të plotë në proceset historike të bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht integrimit të saj në bashkimin e vlerave të përbashkëta perëndimore, pra integrimit në strukturat e familjes evropiane. Pra këto procese të këtij shekulli janë procese të rëndësishme për kombin shqiptar sepse zhvillimet e tilla të këtyre kohëve të fundit na lënë të kuptojmë se kombi shqiptar tanimë ka hyrë në oborrin e aktrimit të përbashkët të politikës ndërkombëtare si dhe të zhvillimeve të përgjithshme ndërkombëtare, thjesht ajo po hyn në një mision të madh të proceseve historike kombëtare dhe ndërkombëtare.
*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare