E Diel, 1 Nëntor 2026

O babë, ky leshi qenka i lagur!, - Ska gjë mor bir, thaje nkanar

(Sa do të doja me shpirt që të mos shkruaja më për politikën)
Nga Flamur BËRDËLLIMA 
Rri pi kafe me një shoqen time të fëmijërisë te 15-kaçi si i themi ne, që aktualisht është Ministre e Shëndetësisë, goca e një miku tim të shtrenjtë, Sabri Godos. Pasi kujtojmë kohët, kur unë punoja hamall dhe nëna e saj, Nermini mbushte thasë me bimë të thara, e puth në ballë duke i kujtuar sesa e qetë është ajo në intervistat televizive. Se sa e realizon sensin e masës në daljet televizive. Se si premton vetëm ato që mund të bëjë brenda mundësive financiare të sistemit të shëndetësisë. Dhe thelbi; se si nuk gënjen. E kam thënë edhe njëherë në këtë gazetë të nderuar se unë jam komunist nën egidën Çfarë të keqe ka që të gjithë njerëzit të jetojnë mirë?! Por kjo egidë nuk më pengon të dua njerëz të tjerë të pozicionuar në parti të ndryshme. Pikërisht këtë gjë e bëj bisedë me djalin e njërit prej shenjtëve të mi të futbollit, Robert Jasharit, dhe ai, skrapali gjithë mënd më thotë: Mulo, nuk shet lesh të lagur ajo, prandaj nuk ia than njeri në kandar. E pyes edhe njëherë për domethënien e kësaj fjale të popullit dhe kuptoj në thelb, se si mijëra, në mos dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë si ai kanë dhimbjen qytetare dhe njerëzore, se si një pjesë e politikës i shet pjesës tjetër lesh të lagur dhe e anasjellta e than gjithmonë në kandar. E kam fjalën këtu për atë që të gjithë e kanë kuptuar se kriza e krizave është papunësia. Më lehtë është të bëhesh princ në Angli se të gjesh një vend dinjitoz pune në Shqipëri. Ndërkohë, shifrat i dini: Një parti thotë do fus në punë 100.000, tjetra thotë 160.000 ndonjë kuturis e thotë 200.000. Aq sa do fuste Nano kur ishte kryeministër. Po ju them një kuriozitet fëminor e për të qeshur:
Ble pothuajse për ditë nga 100 çokollata të vogla, në një pako kauçuku në formë zemre, dhe kam vënë re se më përpara më tepronin 30 çokollata në kuti.(Ah se harrova, ua jap lypësve të Tiranës). Ca kohë më parë më tepronin 20 çokollata. Tani duhet të ble 2 kuti.
Se çfarë magjie do ndodhi më 29 Qershor që do mbijnë nga dheu me dhjetëra uzina e fabrika, unë nuk e di, sepse nuk shes lesh të lagur. Unë di këtë, që e dinë shumica e shqiptarëve: një dramë ekonomike që shprehet nga një udhëheqës i një partie dhe shkakton entuziazmin e një pjese turme, në një vend, shpesh nuk ka asnjë sukses ne një vend tjetër ku është një lider i një partie tjetër, sepse ai udhëheqës vë në lëvizje vetëm ato susta që vënë në lëvizje shpirtin e këtij lloj publiku. Pa fyer asnjë njeri, në përgjithësi populli, sidomos në prag fushatash elektorale, ble vetëm lesh të lagur, dhe zakonisht... shkon për lesh siç ka shkuar këto 18 vjet. Si njohës jo i keq i psikopatologjisë e di se kur bëhet në turmë mitingu, dhe jo vetëm në Shqipëri, budallai, injoranti edhe ziliqari çlirohen nga ndjenja e nulitetit dhe e pafuqisë dhe ato zëvendësohen tek ata nga ndjenja e fuqisë, o brutale o sonoristike. Për fat të keq mbeturinat ataviste të njeriut primitiv riprodhohen tek njeriu i epokës së atomit, të cilat duket janë gati të paeliminueshme. Por le të rrimë te leshi. Le të dalë një ekonomist me mënd në koke dhe të thotë se si do hapen këto 80.000, 100.000, 160.000 apo edhe 200.000 vende pune. Sa miliarda dollarë duhen për të hapur këto vende pune vetëm në katër vjet? O ju që shisni lesh të lagur para popullit tuaj! Dhe ju o gazetarë servilë që i jeni sulur politikës, duke e kthyer çdo ekran në makth! Nuk i ha njeri këto ore. Nuk i ha njeri as ata premtimet për kartën sociale që premton PS-ja e cila do na qenkërka sa një pension dinjitoz. Nuk mundeni një herë të vetme të jeni të sinqertë më popullin tuaj!? Me sa duket, jo!  

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›