E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Përtej kufijve”, bllokohen 50 kg marijuanë



Policia e Gjirokastrës bllokoi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, gjatë operacionit “Përtej kufijve”, në afërsi të fshatit Çukë, rreth 4 kilometra larg qytetit të Sarandës, 50 kilogramë marijuanë. Uniformat blu kanë shpallur në kërkim tre transportuesit e lëndës narkotike. Burime zyrtare nga policia pohuan se “operacioni ka nisur në fshatin Lazarat, rreth 3 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës dhe është finalizuar në fshatin Çukë, në rrethin e Sarandës”. Po të njëjtat burime, theksuan se tre transportuesit e lëndës narkotike, pasi kanë diktuar ndjekjen e policisë kanë braktisur automjetin.

Korçë

Zjarri djeg magazinën e një firme hekuri

Zjarri i përmasave të mëdha që ra dje paradite në qytetin e Korçës ka përfshirë magazinën e firmës private “Sidenor”. Firma që tregton material hekuri për ndërtim, ka pasur në brendësi të ambienteve të magazinës edhe material ferizoli dhe goma të shumta makinash, të cilat kanë krijuar një vatër zjarri të fuqishme, por që fatmirësisht nuk ka shkaktuar të lënduar. Dyshohet se zjarri i rënë në magazinën e kësaj firme ka qenë aksidental dhe sipas hetimeve të para dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë në rrjetin elektrik. Zjarri është shuar brenda një kohe të shkurtër nga katër zjarrfikëse.

Korçë - Durrës

Aksidentet, dy vdesin një plagoset

Kalimtari 60-vjeçar dhe një 36-vjeçare, emigrante në Greqi, kanë humbur jetën, ndërsa u plagos një vajzë 3 vjeçe në dy aksidente të ndryshme në Durrës dhe Korçë. 36-vjeçarja Enkelejda Shtëmbari, nga Berati, kishte kaluar doganën e Kapshticës dhe po udhëtonte në aksin Korçë-Pogradec kur mjeti tip Fiat ka dalë nga rruga dhe më pas është përplasur me një kanal anësor. Një tjetër aksident me pasojë vdekjen u shënua dje pasdite në rrugën e Plazhit në qytetin e Durrësit, ku një automjet ka shtypur një kalimtar 60-vjeçar. Automjeti tip “Fiat” me targa DR 8034 A, drejtohej nga shtetasi Esat Dërrasa.

Tiranë

Zjarr në një garazh në Allias, digjet një veturë

Zjarri që ra dje paradite në një garazh në Allias të Tiranës ka alarmuar banorët e zonës dhe ka vënë në lëvizje zjarrfikësit e kryeqytetit. Flakët e zjarrit dogjën brenda pak minutave një automjet tip “Benz”. Të alarmuar banorët e zonës lajmëruan policinë dhe shërbimin e zjarrfikëseve, të cilët mbërritën në vendngjarje. Zjarrfikësit mundën për pak minuta të izolojnë flakët që kërcënuan banesat pranë garazhit dhe shpëtuan automjetet e tjera që ndodheshin të parkuara në zonën e flakëve. Përveç një benzi të djegur nuk pati dëme të tjera nga djegia e garazhit.

Durrës

Zbrazin pistoletën në ajër, në kërkim autorët

Qëllojnë me armë në ajër, policia identifikon një prej autorëve. Burime policore thanë se ka filluar procedimi penal për 23-vjeçarin Ervis Varfaj, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 14 Durrës. Ai dyshohet se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në Lagjen Nr. 13 në Durrës, në afërsi të lokal “Zapping”, në bashkëpunim dhe me persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri pistoletë në ajër dhe janë larguar me një automjet tip “Fiat Punto” me targë CFO74KC, që u braktis në Lagjen Nr. 14. Në cilësinë e provës materiale u bllokuan 3 gëzhoja pistolete model 54 kal. 7 62 mm si dhe mjeti “Fiat Punto”.

29 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›