E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi i shtetit, betejë në Kryeministri për të marrë meritat e projektligjit



Jonida Tashi

Në oborret e Kryeministrisë ka nisur “lufta e ftohtë” për të marrë meritat e projektligjit për “Profesionet e Rregulluara”. Ndonëse “kandidatët” që garojnë në këtë betejë, e dinë shumë mirë se cila dorë ka bërë hartimin e tij, deri më tani, jo vetëm nuk i është dhënë merita atij që i takon, por po bëhet edhe një anashkalim i emrit konkret të hartuesit. Brenda Kryeministrisë të gjithë e dinë se zëvendëskryeministri Genc Pollo, është propozuesi i Ligjit për “Profesionet e Rregulluara” si dhe kryetar i grupit ndërministror që u mor me përgatitjen e këtij dokumenti. Ndërkohë që para opinionit publik, detajet për këtë projektligj i sqaron këshilltari i kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj, duke marrë kështu në mënyrë indirekte duartrokitjet për miratimin e këtij ligji. Konflikti tashmë i ka kaluar caqet e këtij dikasteri duke u bërë publik. Në të njëjtën ditë dalin publikisht për të folur për këtë ligj si vetë hartuesi i tij Genc Pollo, ashtu edhe i urdhëruari për të bërë përhapjen e tij anembanë vendit, Myqerem Tafaj. Ky i fundit, si për ironi të fatit, në daljen e tij publike për projektligjin e profesioneve nuk ka thënë asgjë më shumë, veçse ka veçuar një pjesë nga ligji i “Pollos”, të cilën e ka lexuar me devotshmëri përpara mediave. Pothuajse të njëjtën gjë ka bërë edhe iniciatori i ligjit, por ndryshimi i vetëm në këto dy dalje publike qëndron në faktin se Pollo i ka ditur ato që ka folur para mediave, kurse Tafaj i ka lexuar.
Hartimi
Punën për hartimin e këtij ligji dhe për futjen e Provimit të Shtetit si filtër për të gjithë të diplomuarit, që kërkojnë të ushtrojnë disa profesione të ndjeshme, numri dy i qeverisë e ka nisur që kur ishte ministër i Arsimit (maj 2008) përmes një grupi pune që përfshinte edhe ministri të të tjera, si ajo e Shëndetësisë, e Punëve Publike, e Bujqësisë dhe Ushqimit etj. Në fakt, ky ligj për ish-kreun e Arsimit, do të ishte një përgjigje edhe për kritikat e drejta ose të padrejta mbi korrupsionin në provimet e universitetit dhe të shtimit të fakulteteve private që lëshojnë një numër të lartë diplomash. Për këtë arsye, ai e konsideronte atë një lloj Mature Shtetërore për Arsimin e Lartë, edhe pse në formë tjetër. Në deklaratën e bërë dje, për projektligjin mbi “Profesionet e Rregulluara”, Pollo është shprehur se ligji përmbush një nevojë të brendshme të shoqërisë shqiptare, të ndjerë prej kohësh dhe të vënë në dukje me zë të lartë prej shumë kohësh atë të cilësisë së profesionistëve. Gjithashtu, sipas tij, ky ligj përmbush edhe një kërkesë “sine qua non” të Bashkimit Evropian (direktiva e Komisionit Evropian 2005/36/EC, date 7.09.2005 ka shërbyer si bazë për përgatitjen e p/ligjit). “Thelbi i këtij ligji është Provimi i Shtetit, pra mund të marrësh diplomën në universitet, por me këtë vetëm të çelet rruga drejt ushtrimit të profesionit si titullar. Provimi i Shtetit organizohet nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me ministrinë e linjës për shembull me Ministrinë e Shëndetësisë për mjekët e farmacistët. Por, gjithsesi, anëtarët e Komisionit Kombëtar të Vlerësimit (KOMKOV) janë profesorë universitare të fushës përkatëse. Në këtë mënyrë, shteti del garant për aftësitë e njohuritë të atij që do të jetë mjek, dentist, infermier, farmacist, inxhinier etj. Pra, cilado të ketë qenë cilësia e diplomës, është diplomë e lëshuar në Tiranë apo jashtë kryeqytetit, në universitet publik apo privat, tashmë filtri është unik për të gjithë vendin dhe quhet Provim i Shtetit”, - ka sqaruar Pollo.
Pollo
Sipas hartuesit të ligjit, kusht tjetër për të ushtruar profesionin është një praktikë profesionale që mund të zgjasë gjashtë muaj deri në tre vjet. Por, kjo nuk do të zbatohet për të gjitha diplomat, por vetëm për ato që prekin sigurinë dhe shëndetin publik. Ndërsa porsa i përket profesioneve që do të përfshihen në ligj, zëvendëskryeministri ka bërë të ditur se në të janë parashikuar 10 profesione të rregulluara. Më tej, Pollo ka argumentuar se në vende të pasura të Bashkimit Evropian (BE), kjo listë shkon mbi 100 profesione, por, ka vende në botë, me po atë shkallë zhvillimi si Shqipëria, ku listohet 50 deri 70 profesione të rregulluara. Gjithashtu, pas këtij ligji, sipas Pollos, hapet rruga për reformimin e Urdhrave Profesionale, të cilët kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur dhe deri tani, përgjithësisht, nuk e kanë përmbushur. Ish ministri i Arsimit ka pohuar se regjistrimi në Urdhrin Profesional është hapi i fundit që duhet të kryejë profesionisti (pasi ka bërë praktikën profesionale dhe ka kaluar me sukses në Provimin e Shtetit) për të mundur të ushtrojë ligjërisht profesionin e tij. Sipas tij, Urdhrat Profesionale duhet të kujdesen më shumë për përditësimin e njohurive profesionale si dhe për disiplinime kur ka shkelje të etikës dhe të rregullave nga profesionistët. Prandaj aty duhet bërë një reformë më vete.

Procedurat
Myqerem Tafaj: “Brenda 1 viti do të testohen 3-4 mijë aplikantë”

Rreth 3-4 mijë aplikantë do të testohen brenda një viti për të kaluar provimin e shtetit, ndërkohë që nga universitetet publike të vendit dalin çdo vit mbi 20 mijë studentë. Për të gjithë kandidatët që nuk do të marrin të drejtën e ushtrimit të profesionit, këshilltari i Berishës për Arsimin, Myqerem Tafaj, ka sqaruar se ata do të mund të aplikojnë në provimin pasardhës. Projektligji “Për rregullimin e profesioneve në Republikën e Shqipërisë”, do t’i shtrijë efektet e tij në të gjitha profesionet që kanë të bëjnë me shërbimet direkt të specialistëve ndaj publikut. Këshilltari i Kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj, ka sqaruar ditën e djeshme detajet e projektligjit të miratuar nga qeveria. Me termin “shërbime direkte”, do të nënkuptohen të gjitha ato shërbime që mund të ofrojnë specialistët jashtë institucioneve, në mënyrë private, pra si profesionistë të lirë. Në këtë kuadër, në ligj janë përcaktuar 10 profesionet e para që listohen për t’u rregulluar, të cilat kanë të bëjnë me të gjitha specialitetet e fushës së mjekësisë, profesionin e juristit dhe inxhinierit. Duke sqaruar disa nga kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët që do t’i nënshtrohen këtij provimi, Tafaj ka theksuar se përveç diplomës universitare, ata duhet të paraqesin edhe një vërtetim se kanë bërë stazh pune dhe rezultatet që kanë arritur gjatë stazhit. Pas paraqitjes së këtij dokumentacioni, ata do të hyjnë në provim dhe do të testohen për njohuritë e tyre, në bazë të një testi, i cili do të korrigjohet nga komisioni shtetëror i provimit. Në bazë të rezultateve në këtë provim, specialistët do të përfitojnë të drejtën e ushtrimit të profesionit si të pavarur. Korrigjimi i provimit në formë elektronike, sipas Tafaj, do të sigurojë një transparencë të plotë, ndërsa për mënyrën e dhënies së këtij provimi do të studiohen modelet që zbatojnë vendet e tjera. Ligji për rregullimin e profesioneve zbatohet për herë të parë në Shqipëri, dhe në këtë drejtim institucionet shqiptare po përpiqen të adaptojnë standardet më të mira ndërkombëtare. Me vendosjen e provimit shtetëror për ushtrimin e profesioneve, disa organizmave të veçanta u hiqet e drejta e dhënies së licencave. Projektligji “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, i cili tashmë pritet t’i kalojë për diskutim Parlamentit, mori firmën e Këshillit të Ministrave gjatë mbledhjes së tij të fundit, datë 26 gusht.

29 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›