E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përurohet superstrada, Berisha: PS tenton bllokimin

Aktualisht kanë përfunduar 38 kilometrat e parë në pjesën Levan-Damës. Duke e cilësuar si një aks tejet të rëndësishëm për jugun e Shqipërisë dhe veçanërisht për fermerët, kryeministri Berisha akuzoi opozitën se po tenton të bllokojë projektet rrugore.

Ai tha se qeveria do të bëjë gjithçka për të asfaltuar çdo rrugë. Berisha shtoi se opozita tenton të pengojë përurimin e këtyre rrugëve vitin e ardhshëm kur edhe pritet të zhvillohen zgjedhjet.

“Nuk votuan në parlament shtesën që u kërkua për ndërtimin e kësaj rruge. Nuk votuan sepse donin me çdo kusht të bllokonin përfundimin e tyre para zgjedhjeve. Kishin problemin që të mos i inauguronim para zgjedhjeve, por ne do përurojmë rrugë në të katër anët e vendit. Jo bllokimi por zhvillimi është ajo që kanë nevojë fëmijët tuaj, ju dhe brezat që do të vijnë. Ne do të shfrytëzojmë gjithçka për të zhvilluar Shqipërinë” theksoi Berisha.

Ai shtoi se studimet më të besueshme të Bankës Botërore kanë faktuar se çdo dollar i investuar në asfaltimin e rrugës kthehet në një fitim prej 4.6-5 dollarë më shumë. “Rrugët janë punësim, sepse ato janë korridoret e energjisë së tregut. Vetëm lugina që qarkon kjo rrugë me prodhimet e saj mund të mbajë për një kohë të mirë tregun e Tiranës, por nxjerrja e prodhimeve në treg më parë ishte e pamundur, distanca që shkurton rruga është punësim, se cdo investitor që ka ndërmend të investojë jashtë Tirane përzgjedh qytete të tjera të jugut në të cilat arrin në një shpejtësi e transport shumë të mirë. Kjo është leva e Arkimedit për të nxjerrë njerëzit nga varfëria, për të bërë të vlefshme tokën e tyre, që të punojnë e të prodhojnë”- tha Berisha.

Superstrada Levan – Tepelenë është pjesë e Korridorit Veri – Jug me gjatësi totale prej 70 km dhe vlerë 70 milion Euro. Ajo është ndarë në dy seksione: Levan –Damës dhe Damës – Memaliaj. Sa i takon segmentit të parë të kësaj superstrade, Levan-Damës, ajo ka një gjatësi prej 38 kilometrash dhe gjerësi 10.5 metra. Shpejtësia e lëvizjes në këtë segment varion nga 80-100 km/h dhe vlera e këtij investimi është 42 milionë euro.

Superstrada sigurisht që është e pakrahasueshme nga pikpamja e komoditetit, amortizimit të mjeteve dhe e sigurisë me atë ekzistuesen Fier-Patos-Ballsh-Fratar. Vlen të theksohet se në këtë vepër janë ndërtuar 15 ura me gjatësi totale prej afro 500 m dhe 35 vepra të tjera hidraulike. Ky aks përfaqëson një nga infrastrukturat më moderne dhe më panoramike të vendit me një kosto tepër të leverdisshme për kushtet aktuale të tregut.

Kjo superstradë përshkon rrethet Fier- Vlorë –Tepelenë. Që nga dita e enjte segmenti rrugor Levan-Damës do të vihet në shfrytëzim të plotë për përdoruësit e automjeteve. Ajo përfaqëson një superstradë të standardit europian të rrugëve nacionale interurbane e cila shërben për tranzitimin e trafikut të njerëzve dhe mallrave përgjatë korridorit kombëtar Veri-Jug në kushte të sigurisë dhe komoditetit më të lartë.

Vetëm ky segment prej 38 km shkurton kohën e përshkueshmërisë nga Fieri në Fratar me më shume se 30 minuta, por ajo që është më e rëndësishmja qëndron në faktin se alternativa e re që ofrohet nga ky segment është e pakrahasueshme nga pikpamja e komoditetit dhe e sigurisë me atë ekzistuese, Fier-Patos-Ballsh-Fratar.

Me vënien e plotë në shfrytëzim në fund të vjeshtës edhe të segmentit tjetër Damës-Memaliaj prej 25 km përfitimet në aspektin e vlerës së kohës (kursehet 1 orë), ndërsa përsa i përket sigurisë dhe amortizimit të mjeteve do të maksimizohen më tej. /Start/

                                                                                             2012-08-02 11:14
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›