E Diel, 1 Nëntor 2026

Përzgjedhja e kandidatëve, e drejtë ekskluzive e Presidentit

Flet eksperti

Sipas nenit 125 dhe 136 të Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Ky është një moment i rëndësishëm që kërkon kujdes dhe vlerësim të veçantë për vetë faktin sepse të emëruarit e rinj që do të zëvendësojnë vendet vakante, do të jenë anëtarë të institucioneve tepër të rëndësishme siç janë Gjykata Kushtetuese që garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj, si dhe Gjykata e Lartë, që është instanca më e lartë e sistemit gjyqësor.

Veç kushteve dhe kritereve që caktohen përkatësisht në Kushtetutë dhe ligj, deri më sot ne nuk kemi akte të tjera normative që do ta bënin ndoshta më të lehtë dhe më rezultative përzgjedhjen nga Presidenti i Republikës, të kandidaturave për këto gjykata. Nocionet “kualifikim i lartë”, apo “përvoja e punës” nuk janë lehtësisht të zbërthyeshme. Ato janë sa relative në interpretim, aq edhe të vështira në procesin e vendimmarrjes. Integriteti i kandidatit të përzgjedhur është një moment tjetër delikat, sepse këndvështrimet në këtë drejtim mund të jenë nga më të ndryshmet, madje edhe me elemente të vlerësimeve subjektive. është kjo një nga arsyet që u përshëndet nisma e Presidentit të Republikës për thirrjen e një grupi specialistësh me përvojë në fushën e drejtësisë. Konsultimi me ta, vjelja e mendimeve të tyre, mendoj se ishte e dobishme. Ishte dhe është e drejtë e Presidentit të Republikës, që lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për në këto gjykata, të këshillohet me çdo individ apo grup personash, me çdo institucion apo forcë politike, të marrë informacionet përkatëse që do t’i shërbenin këtij qëllimi. Por në fund të fundit, është ai që vendos, ndërsa Parlamenti jep pëlqimin për Dekretin e Presidentit. Në intervistën e Këshilltarit Juridik të Presidentit, z. Spiro Peçi të botuar në gazetën “Shqip”, të 26 korrikut 2010, jepen disa sqarime lidhur me procedurën e ndjekur në përzgjedhjen e kandidatëve. 80 persona i janë drejtuar Presidentit me kërkesën për t’u përfshirë në kandidaturat që do të shqyrtoheshin për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Ka mendime se vetë shifra 80 tregon transparencë, hapësirë dhe mundësi më të mëdha përzgjedhjeje. Nuk e di sa të bazuara janë këto mendime, sepse nuk di rrethanat që kanë kushtëzuar ose nxitur këtë numër relativisht të madh kërkesash. Edhe pse kjo nuk ka të bëjë me ndonjë shkelje ligji apo rregull, mund të ishte objekt diskutimi. Në intervistën e z. Peçi, tërheq vëmendjen ajo pjesë ku bëhet fjalë për nismën e Presidentit për të bërë pjesë të procesit të përzgjedhjes së kandidaturave edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste. Megjithatë, formula e përmendur në intervistën e mësipërme nuk më duket se ishte zgjedhje e drejtë dhe e përshtatshme. Praktika ka vërtetuar se qëllimi i mirë apriori jo në çdo rast, ka justifikuar veprimet e ndërmarra dhe procedurat e zbatuara. Kjo formulë, siç thuhet në intervistë “është marrë në analogji me ligjin dhe me mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, d.m.th. gjyqtarët e Gjykatës së Apelit”. Por meqë lexuesi i thjeshtë nuk është i njohur me dispozitën e Kodit

Zgjedhor që është marrë si analogji, e shikoj të nevojshme t’i referohem nenit 146 të këtij kodi. Në këtë nen bëhet fjalë për procedurën që zbatohet në zgjedhjen me short të 8 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. Në të, veç të tjerave thuhet se: “Secili prej përfaqësuesve të dy partive parlamentare të shumicës dhe dy partive parlamentare të opozitës...ka të drejtë të përjashtojë një prej tetë emrave të nxjerrë nga kutia e shortit”, dhe më poshtë: “Kërkesa për përjashtim përmban vetëm emrin e gjyqtarit, pa përmendur shkaqet e përjashtimit...”.

Pikërisht kjo është analogjia që përmendet në intervistën e z. Peçi në të cilën jepen sqarimet e mëposhtme: “Presidenti i Republikës u propozoi krerëve të grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së që nga lista prej dhjetë kandidatësh “të hiqnin nga dy kandidatë që nuk i dëshironin nga lista dhe pjesa tjetër e mbetur të shkonin për votim në Parlament”.

Nëse formula e mësipërme do të ishte pranuar nga partitë politike, për mendimin tim, kjo do të kalonte kornizat e konsultimeve, sepse në procesin e përzgjedhjes ato (partitë) do të bëheshin palë. Palë do t’i bënte ata e drejta e përjashtimit nga lista, të kandidaturave që nuk dëshironin. Ndryshe është të paraqesësh vërejtje apo konsiderata për këtë apo atë kandidaturë dhe ndryshe është të heqësh nga lista ata që nuk dëshiron. Nëse thuhet se edhe në Kuvend, kandidatura të paraqitura nga Presidenti janë rrëzuar për arsye politike, aq më tepër për motive politike mund të rrëzoheshin sipas formulës së propozuar.

Një argument tjetër që tregon se formula që u është propozuar partive nuk ishte e përshtatshme, është edhe fakti se e drejta për të hequr nga lista këtë apo atë kandidat për anëtar në Gjykatën Kushtetuese ose Gjykatën e Lartë, u jepet atyre në fazën e hartimit të listës së kandidatëve, kur ende dekretet e Presidentit nuk janë përgatitur. Kjo është faza e konsultimeve jashtëparlamentare, që qoftë edhe vetëm pëlqimi mund të ishte i natyrës formale. E themi këtë, sepse dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, ndjek një procedurë të caktuar. Kur thuhet se përcaktimi i kandidaturave për në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë është një e drejtë ekskluzive e Presidentit, përjashtohet që kjo e drejtë të ndahet apo qoftë edhe pjesërisht t’i delegohet ndonjë institucioni tjetër. Pëlqimin për kandidaturat e dekretuara nga Presidentin e jep vetëm Kuvendi në seancën e tij plenare.
Kjo është arsyeja që e pashë me vend të reagoja publikisht kundër një shtese që iu bë në vitin 2008, nenit 111 të Rregullores që i jep të drejtën Komisionit për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, që kur vlerëson se kandidati nuk plotëson kushtet, nëpërmjet Kryetarit të Kuvendit njoftohet Presidenti i Republikës. Z. Peçi në intervistën e tij shpreh keqardhjen dhe e quan fatkeqësi që formula e përmendur më lart nuk gjeti mbështetje ose nuk u vlerësua nga PD-ja dhe PS-ja. Edhe pse kjo mund të ishte një rastësi, pa ditur shkaqet e vërteta të refuzimit apo heshtjes objektivisht del të jetë pozitive. Në të kundërtën do të cenohej e drejta ekskluzive e Presidentit në përcaktimin e kandidatëve që do të dekretonte. Në fund, e shikoj të nevojshme të theksoj se ajo pjesë e nenit 146 të Kodit Zgjedhor, që u jep të drejtë partive politike të përjashtojnë gjyqtarë të zgjedhur me short dhe që është marrë në analogji, është antikushtetuese sepse cenon parimin e pavarësisë së gjyqësorit. Për këtë ka bërë vërejtjet Komisioni i Venecias qysh në vitin 2004. Ka rekomanduar rishqyrtimin e saj jo një herë edhe OSBE/ODIHR-i, por interesat e ngushta partiake kanë dashur që ajo të vazhdojë dhe të jetë në fuqi edhe sot. Në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit 2009, rekomandohet jo rishikimi, por heqja e saj (shih raportin faqe 31, rekomandimi Nr. 3).

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›