E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhgimi, shqiptarët të mbytur në stres

10/04/2009  Monitorimi i kryer nga Qendra e Zhvillimit të Shëndetit Mendor, stresi prek 41 për qind të rasteve

Shqetësimet e shëndetit mendor shkaktohen prej problemeve ekonomike dhe papunësisë

Stresi është një ndër problemet më të shpeshta mendore që shfaqet te qytetarët shqiptarë. Problemet ekonomike dhe papunësia renditen si dy shkaqet kryesore që çojnë në shtimin e këtij fenomeni, veçanërisht tek të rinjtë pas moshës 18-vjeçare. Nxjerrja e këtij përfundimi ka ardhur pas studimit të kryer në dhjetë qytetet më të mëdha në vend nga Qendra e Zhvillimit të Shëndetit Mendor me mbështetje dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Më shqetësuese situata pohohet të jetë te moshat e rritura, të cilat stresin e përjetojnë në mënyrë të vazhdueshme. Vëzhgimi është realizuar në rrethet ku është e përqendruar pjesa dërrmuese e popullsisë së vendit, përkatësisht në Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Elbasan, Berat, Vlorë, Korçë, Sarandë e Tiranë. Në këtë studim u përfshinë 520 persona të rritur të moshës mbi 18 vjeç, që u ndoqën për një periudhë të caktuar kohore nga stafe të specializuara.

Rezultatet

Vëzhgimi ka treguar se fenomeni më i shpeshtë që prek shqiptarët për sa u përket problemeve mendore është stresi. Më shumë se 41 për qind e të anketuarve kanë treguar dhe evidentuar se janë të shumta rastet kur gjenden në situata stresuese, të cilat përsëriten në mënyrë të vazhdueshme. Në gjetjet e studimit gjithashtu pohohet se personat që vuajnë nga depresioni përbëjnë 33 për qind të rasteve me sëmundje mendore, ndërsa për abuzimin me substancat janë shprehur në 8 për qind e rasteve. Pothuajse 66 për qind e rasteve të përfshira në studim kanë evidentuar se shkaqet që çojnë në shfaqjen e këtyre problemeve renditen të jenë vështirësitë ekonomike si dhe papunësia çojnë në rëndimin e kësaj situate. Ndërsa stresi vlerësohet me 41 për qind, problemet familjare (sociale) në 11 për qind të pyeturve çojnë në rendim të shëndetit mendor. Sipas organizatorëve, qëllimi i studimit ishte vlerësimi i këndvështrimeve të popullatës mbi çështje të shëndetit mendor dhe mbi personat që vuajnë nga probleme të ndryshme të shëndetit mendor. Pavarësisht këtyre shifrave, situata mund të jetë edhe më problematike, pasi mungojnë në masë të dhënat mbi këtë lloj sëmundje, duke qenë se nuk evidentohen të gjithë të prekurit, kjo veçanërisht për rrethet. Shqetësim ky që çon në avancimin e mëtejshëm të këtyre sëmundjeve ndërkohë që mungon trajtimi.

Shërbimet

Përkundrejt evidentimit të pjesshëm të këtyre probleme shërbimet shëndetësore që ofrohen kundrejt tyre janë në mungesë dhe jo në cilësinë e duhur për rastet kur ekzistojnë.

Konkretisht raportohet nga institucionet shëndetësore se në pjesën më të madhe të rasteve pacientët e sëmurë asistohen nga mjekët e familjes, të cilët nuk japin shërbimin e duhur trajtues, duke anashkaluar efektet që mund të lërë trajtimi i tyre nga mjeku specialist. Mbulimi i kësaj kategorie me stafin e duhur mjekësor është problematik, sidomos për shërbimet në rrethe. Sipas statistikave të nxjerra, është deklaruar se raporti i pacientëve të prekur me mjekët që i trajtojnë vazhdon të jetë nga ekstremi në ekstrem. Kështu, për rreth 780 pacientë shërben një mjek psikiatër. Një raport ky i papërballueshëm. Ndërsa roli i punonjësve socialë apo atyre informues mbetet pas, pasi nuk njihet nga këta të fundit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›