E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet projekti i ri për 2009-n

10/04/2009  Planifikimi familjar

Planifikimi familjar në vend do të mbështet nga një program i veçantë, që do të zbatohet ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar. Ditën e djeshme është bërë dhe prezantimi i programit “Për ndryshimin e sjelljes në planifikimin familjar në Shqipëri”, program i cili përqendrohet në rritjen e metodave bashkëkohore kontraceptive për të sqaruar keqkuptimet në lidhje me efektet anësore dhe për të pakësuar përdorimin e metodave tradicionale, kryesisht për moshat 18–35-vjeçare. E pranishme në këtë ceremoni, ministrja Anila Godo ka pohuar se viti 2009 do jetë viti i sensibilizimit të popullsisë në lidhje me strukturën e duhur të planifikimit familjar. “Në axhendën e vitit 2009 është strategjia kombëtare e shëndetit riprodhues, çka do të përbëjë një kornizë ku do të përcaktohen drejtimet kryesore të plotësimit të nevojave për planifikim familjar, me qëllim parandalimin e shtatzënive të padëshiruara dhe sigurimin e alternativave kundrejt abortit. Planifikimi familjar luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit amtar, barazinë gjinore dhe reduktimin e varfërisë, duke ndihmuar drejtpërdrejt në arritjet e objektivave të mijëvjeçarit”, - tha ministrja Godo. Sipas saj, në sektorin publik kontraceptivët ofrohen falas në 413 qendra shëndetësore dhe konsultore të gruas në qytet e fshat. Ndërsa në vitin 2010 MSH-ja do të mbulojë 100 për qind të kostos së shërbimit të planifikimit familjar në sektorin publik, ndërkohë që aktualisht mbulon 90 për qind të këtij shërbimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›