Pesë-gjashtë kandidatë për titull

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini beson se pesë-gjashtë klube mund të fitojnë Premierligën. City aktualisht gjendet në pozitën e pestë në tabelë, dhjetë pikë prapa liderit Chelsea, por kanë mundësi të ngushtojnë diferencën kur takohen me Blackburn Rovers në Eastlands, të hënën.
Arsenal dhe Manchester United kanë humbur pikë në fundjavë dhe Mancini beson se shumë klube janë në garë për titull. “Janë pesë-gjashtë klube që mund të fitojnë Premierligën. Është konkurrencë e madhe, sepse ka shumë ekipe të mira në Angli. Dhe, sigurisht se Manchester City është një prej tyre”, tha Mancini për Press Association Sport.
Ish-trajneri i Interit po ashtu ka theksuar se pret që përforcimi i ri Patrick Vieira të jetë titullar në City, edhe pse pranon se nuk do ta emërojë kapiten.
“E shoh duke luajtur rregullisht. Patrick ka fituar shumë tituj në Arsenal, Juventus dhe Inter. Ai duhet ta vazhdojë këtë edhe në City. Nuk mendoj se do të jetë kapiten. Kemi shumë futbollistë të rëndësishëm, por pa dyshim se ai është njëri prej tyre”, përfundoi Mancini.