E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesë muaj pas përmbytjeve, familjet pa kushte jetese

Shkodër Dhe pse kanë kaluar gati 5 muaj nga përmbytjet e fundit, problemet e shkaktuara prej tyre janë akoma të prekshme dhe nuk kanë gjetur zgjidhje. Më shqetësuese paraqitet situata në ato banesa, që nga vërshimi e prania e ujit janë bërë të pabanueshme dhe janë dëmtuar deri në shembje. Në fshatin Trush në Shkodër janë 5 shtëpi që janë shembur plotësisht, ose më shumë se gjysma, ndërsa është e pamundur të jetohet në atë çfarë ka mbetur. Afrim Cafi së bashku me familjen, gjithsej 7 persona, jeton tek një ofiçinë pasi shtëpia e tij është shembur dhe ai nuk ka mundësi financiare të bëjë riparimin e saj. Ardjan Juka me 5 pjesëtarë në familje e ka të shembur banesën dhe në të nuk jetohet, ndërsa Nadir Rexha ka mundur ta rindërtojë disi pjesën e shembur, i ndihmuar dhe nga miq e të afërm. Banorët e këtij fshati shprehen se deri tani janë të zhgënjyer nga premtimet për kompensim të dëmeve të përmbytjeve, dhe sipas disa prej tyre kjo ka bërë që ndryshe nga herët e tjera në këta 20 vjet, këtë herë shumica e tyre, por dhe e komunës Berdicë, ku bëjnë pjesë të votojë ndryshe. “Kishim shpresë se dëmshpërblimet do jepeshin para votimeve, në mënyrë që të mund të mbillnim tokën dhe pse lagështira ka sjellë vështirësi. Akoma nuk e dimë nëse do na jepen paratë për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, ndërsa ka familje që vazhdojnë të jenë të strehuara te të afërmit ose në ambiente provizore, pasi banesat u kanë dalë jashtë funksionit apo janë rrënuar. Këtu bëhet fjalë për familje që nuk kanë ku të fusin kokën dhe të jetojnë”, shprehet Din Tula, banor i këtij fshati. Disa prej familjeve të këtij fshati, që është dhe më i madhi në komunën e Berdicës, të ndihmuar dhe nga të afërm në emigracion, kanë mundur të rihyjnë në banesa, por ka dhe prej atyre që edhe tani pas 5 muajsh qëndrojnë tek të afërm”. Gjysmën e shtëpisë e kam të prishur dhe me vështirësi kam mundur të riparoj gjysmën tjetër sa për të futur kokën. Presim që shteti të na japë atë që ka deklaruar, por deri tani nuk shohim asgjë“, thotë Nazire Ferracaku banore e këtij fshati. Banorët e Trushin shprehen se shpresojnë dhe pse ato vijnë duke u shuar.

Djana Kolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›