E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesë në pranga për trafik klandestinësh

VLORE - Policia dhe Prokuroria e qytetit të Vlorës arrestuan dje pesë persona të akuzuar për "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit".

Aksioni është koduar me emrin "Rruga e Re", ndërsa gjatë realizimit të tij, sipas policisë u arrestuan: Sokol Ahmetaj, 22 vjeç, banues në Korfuz, Greqi, Agim Bajaj 55 vjeç, banues në Sarandës, Nase Danga 36 vjeç, banues në Sarandë, Sulejman Mulla, 49 vjeç, banues në Sarandë dhe Florenc Mulla, 22 vjeç, banues në Sarandë. Policia deklaroi dje se drejtimet e lëvizjes së klandestinëve të trafikuar nga të arrestuarit kanë pasur si qëllim hyrjen nga Shqipëria në territorin e shtetit grek dhe më pas në vendet e tjera të Komunitetit Evropian, kundrejt pagesës. "Grumbullimi i klandestinëve bëhej nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Më pas realizohej transporti drejt qytetit të Sarandës për t'i kaluar më tej në territorin e shtetit Grek nëpërmjet kufirit tokësor apo atij detar", tha policia. Sipas saj, gjatë aksionit të djeshëm të koduar me emrin "Rruga e Re" janë shpallur në kërkim dhe dy persona të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtore në kryerjen e trafikut. Gjatë aksionit policia sekuestroi edhe disa makina që besohet se janë përdorur për transportin e klandestinëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›