E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Si i grabitën tokat e banorëve zyrtarët e Kasharit

TIRANE - Bashkim Kusi dhe Ruhi Valiasi janë dy personat që kanë përfituar nga abuzimet me trojet e tokave në Kashar.

Faktin që ata kanë përfituar një sipërfaqe toke pas vitit 1996 e pranojnë edhe vetë, por ndryshe nga organi i Prokurorisë pohojnë se, toka u takonte sipas ligjit. Para gjyqtares së gatshme dje në Gjykatën e Tiranës ata, duke vazhduar të pretendonin në këtë linjë cituan se, nuk mund të merreshin në përgjegjësi penale për faktin se kishin marrë pronat që u takonin ligjërisht. Të dy këta u arrestuan katër ditë më parë në kuadër të operacionit policor "Kashari II", pasi me kërkesë të Prokurorisë Gjykata e Tiranës lëshoi urdhër-arrestet. Kusi 45 vjeç dhe Valiasi 46 vjeç, si dhe dy ish-zyrtarë të komunës Kashar, që mundën të largoheshin u akuzuan për "korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë", "pastrim të produkteve të veprës penale" dhe "falsifikim të dokumenteve". Hetimet disamujore të Prokurorisë së Tiranës kanë nxjerrë se abuzimi, si pasojë e të cilit Kusi e Valiasi kishin përfituar sipërfaqet të konsiderueshme toke është kryer në vitin 2002. Duke përfituar nga fakti se në fshatin Kashar banorët kanë përfituar tokë në dy kategori, nga ish-fermat bujqësore dhe ish-kooperativa, si dhe fakti që komisioni i vitit 1992 ka lënë një sipërfaqe të vogël të pandarë, falsifikatorët e ndryshëm pas vitit 2000, sapo pikasnin sipërfaqe toke që banorët e kishin përfituar me ligjin 7501 dhe që ende nuk e kishin regjistruar në hipotekë lëshonin dublikatë të aktit të marrjes së tokës në pronësi, duke i njohur pronësinë për këtë personave që u kishin paguar ryshfet apo ata me të cilët bashkëpunonin për "grabitjen" e pronave në këtë zonë. Ndërkohë të njëjtët persona bllokonin në hipotekë regjistrimin e pronave të personave që e kishin përfituar ligjërisht atë duke u mundësuar falsifikatorëve re-gjistrimin dhe kryerjen e procedurave. Prokuroria sqaroi dje se, tashmë po heton nëse ka edhe persona të implikuar në këtë ngjarje, ndërkohë po kryhen hetime edhe për personat e arrestuar më parë për të njëjtën akuzë. Aktualisht organi i akuzës po heton përgjimet telefonike midis të pandehurve, ndërsa policia e kryeqytetit po punon për kapjen e dy ish-funksionarëve të pushtetit lokal në Kashar, të bashkakuzuar me Kusin dhe Valiasin.                                 fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›