E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë poetët e mëdhenj amerikanë

Pesë poetë amerikanë, të cilësuar etër dhe baballarë të poezisë së shekullit të XX, që eksperimentuan dhe përjetuan tmerret psikike të luftërave botërore, vijnë për herë të parë në shqip në një bllok botimesh, nën kujdesen e poetit Gentian Çoçoli, që drejton botimet “Aleph”.

Kjo seri, e quajtur “Poetë të mëdhenj amerikanë” është mbështetur financiarisht nga zyra e marrëdhënieve me publikun e Ambasadës Amerikane në Tiranë, përfshirë në programin për kulturën, “Books translation” – ku përmbajtja e çdo libri përfshin: “Me shënimin se opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë botim janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërish ato të Departamentit të Shtetit”.

Autorët janë John Ashbery, T. S. Eliot, Robert Hass, Ezra Pound dhe Wallace Stevens që vijnë në libra më vetë, si poezi e përzgjedhur. Prezantimi zyrtar u bë, dje, në mjediset e Bibliotekës Kombëtar, si pjesë e veprimtarive përzgjedhëse që bën çdo vit ky institucion për promovimin e botimeve. Në këtë rast, drejtori i Bibliotekës, Aurel Plasari tha se ky aktivitet vjen si rëndësi e njohjes sonë për letërsinë e madhe amerikanë, e cila ka mbetur në kohën e Adamit, me besimin se përkthimi i tyre do t’i nënshtrohet debatit, si shans për njohjen me autorët, kushtet e botimit, si dhe për poezinë - si realitet që gëzon mbështetje shtetërore në Amerikë.

Botuesi dhe njëkohësisht i përfshirë edhe si përkthyes në këtë seri, Gentian Çoçoli, iu referuar ëndrrës së tij, si poet, përkthyes dhe botues, se si dikur kishte bërë përpjekjen për t’i shtënë në dorë, në një kohë kur realiteti ynë shumë vite më parë ishte ende i izoluar. Duke përmbushur këtë, sot, se si ky bllok botimesh do t’ju vijë në ndihmë edhe poetëve të rinj, Çoçoli pohon se tashmë e ka kryer detyrën e tij si botues i vogël dhe se projekti për artin e poezisë quhet i mbaruar me këta autorë amerikanë.

Si botues, Çoçoli është shprehur se përzgjedhja, mes 30 emrave në listën e parashikuar prej tij, është bërë jo vetëm sipas shijeve personale, por dhe si nivel letrar të poetëve, të cilët janë atashuar për këtë program duke pasur parasysh tekstin, biografinë dhe cilësinë estetike. Për çdo autor libri shoqërohet me hyrje biografike, shënime kritike dhe në mbyllje me ese nga autorë të njohur, poetë e kritikë të sotëm në Amerikë. Ky është një projekt në lëvizje, që do të vazhdojë sipas botuesit të “Aleph”, që deri tani si ent, ka hedhur në treg rreth 15 poetë të sotëm shqiptarë, po aq dhe poetë të huaj.

“Me këtë projekt është një lloj vetëvrasje në treg, por fakti që po i botojmë, që është një projekt jofitimprurës, e kemi marrë riskun”, - thotë poeti Çoçoli, duke shtuar se ky ka qenë dhe sensibiliteti i Ambasadës Amerikën në Tiranë, pasi kultura e poezisë ka nevojë për përkrahje. Përkthyesit që kanë kontribuar në botimin e serisë së autorëve të mëdhenj amerikanë janë Iris Klosi, Gentian Çoçoli, Parid Teferiçi, Rudi Erebara dhe Edion Petriti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›