E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filozofia e së drejtës në librin e ri të Jorgo Dhramit

05/03/2010 “E drejta juridike penale dhe e vërteta” zë një vend të veçantë në fondin e botimeve në fushën e shkencave juridike

Autori jep kuptimin në gjuhën shqipe të termit “I drejtë” dhe “E drejtë”, duke i qartësuar ato si nocione drejtshkrimore

Rëndësia e këtij botimi konsiston në faktin se ai u vjen në ndihmë në punën e tyre në veçanti studiuesve të shkencës juridike, prokurorëve, gjyqtarëve, avokatëve, oficerëve të Policisë Gjyqësore, si dhe studentëve të fakulteteve juridike publike dhe jopublike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni

Libri më i ri “E drejta juridike penale dhe e vërteta” i dr. Jorgo Dhramit zë një vend të veçantë në fondin e botimeve në fushën e shkencave juridike. Si autor i disa librave të profilit juridik, dr. Dhrami, më mirë se kushdo tjetër argumenton se dhënia e drejtësisë dhe sigurimi i saj në mënyrë korrekte dhe të pandërprerë nuk është vetëm detyrë e pushtetit gjyqësor, por e shtetit si tërësi e vetme. Rëndësia e këtij botimi konsiston në faktin se ai u vjen në ndihmë në punën e tyre në veçanti studiuesve të shkencës juridike, prokurorëve, gjyqtarëve, avokatëve, oficerëve të Policisë Gjyqësore, si dhe studentëve të fakulteteve juridike publike dhe jopublike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni dhe kudo gjetkë që flitet shqip. Kjo edhe për faktin se në këtë libër dr. J. Dhrami jep kuptimin në gjuhën shqipe të termit “I drejtë” dhe “E drejtë”, duke bërë fillimisht qartësimin e tyre si nocione drejtshkrimore (gjuhësore) dhe njëherazi edhe shpjegimin e këtyre termave për lexuesin. Ai argumenton shkencërisht konceptin e termit “drejt”, që shtrihet në të gjitha sferat e jetës njerëzore si një matës, një vlerësim për mirë ose jomirë, për qëndrimin e personit, shoqërisë njerëzore, si dhe të shtetit me shtetasit e vet, të huaj apo pa shtetësi. Parë në këtë këndvështrim, në të gjitha rastet termi “drejt” është pikë referimi. Si një nga penalistët më në zë të vendit, dr. Jorgo Dhrami ka shfrytëzuar me përsosmëri përvojën gati 20-vjeçare si ish-prokuror në Prokurorinë e Fierit dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, për t’iu kundërvënë rasteve të të moskuptuarit teorikisht dhe të zbatimit të gabuar në praktikën e punës hetimore dhe gjyqësore të bashkëlidhjes së domosdoshme të “të drejtës juridiko-penale me të vërtetën”. Moskuptimi i kësaj bashkëlidhjeje organike, që absolutisht nuk mund të jetojnë dot pa njëra-tjetrën në mënyrë të pavarur, sjell në mënyrë të pashmangshme dënimin e padrejtë dhe të pabazuar në ligj dhe në prova të personave të caktuar. Pikërisht pse ka ndodhur kështu në formulimin e konceptit të termit “E vërteta”, ai i përmbahet me besnikëri thënies proverbiale të personaliteteve të mëdhenj të dijes njerëzore: “Përtej çdo virtyti njerëzor qëndron e drejta”. Pasi argumenton kuptimin e termit “E vërteta” si diçka që është e vërtetë, si diçka që është e sigurt dhe e saktë, si fakt a diçka tjetër që nuk mund të mohohet, si e vërtetë e pamohueshme dhe si realitet objektiv, autori i këtij libri jep dhe paraqitjen e së vërtetës në disa nënndarje: absolute, objektive dhe relative. “E vërteta në kuptimin filozofik është një dije që e pasqyron drejt realitetin objektiv në ndërgjegjen e njerëzve, dije që përputhet me realitetin dhe është provuar në praktikë”, shprehet dr. Jorgo Dhrami, i cili arrin në konkluzionin se “i vërtetë” ose “e vërtetë” duhet kuptuar: “Që përputhet me gjendjen e gjërave ashtu siç janë, që paraqet diçka ashtu siç është në jetë. I sigurt e i saktë; që përmban në vetvete të vërtetën, që mbështetet në të vërtetën”.

Për ta bërë më të thjeshtë studimin e këtij libri, autori i tij, përveç kuptimit në gjuhën shqipe të termave “I drejtë” dhe “E drejtë”, e ka ndërtuar atë me nënndarje më vete, si: “E drejta si kategori historiko-juridike, origjina dhe përmbajtja e saj”, “Kushtetuta dhe legjislacioni penalo-procedural”, “Drejtësia dhe vërtetësia e vendimit gjyqësor”, “Bindja e brendshme dhe e vërteta” etj. Ndërkohë dr. Jorgo Dhrami në mënyrë të argumentuar jep rëndësinë e objektivitetit në hetime, të kuptimit dhe barrës së provës, si dhe të respektimit të garancive procedurale të të pandehurit dhe personit në hetim.

Doktori i Shkencave Juridike, Jorgo Dhrami, përveç botimeve në fushën e jurisprudencës ka botuar edhe monografinë “Figura që ne na nderojnë në përjetësi” (një përmbledhje të figurave më të shquara historike të fshatit tonë Qeparo). Ish-komisioneri i Avokatit të Popullit, zgjedhur nga Parlamenti shqiptar, ka qenë gjithashtu anëtar i Bordit Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave, ndërkohë që ka punuar si pedagog i jashtëm në Shkollën e Lartë të Magjistraturës në dhënien e lëndës të së drejtës penalo-procedurale. Aktualisht është dekan i Fakultetit Juridik në universitetin “Sevasti & Parashqevi Qiriazi”, Tiranë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›