E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo Reali refuzon 200 milione euro

Gjatë merkatos së verës nuk është realizuar një operacion i pabesueshëm: ai me vlerë 200 milionë euro, që Mançester Siti kishte ofruar për të siguruar shërbimet e Cristiano Ronaldos. Por, sipas asaj që zbulon gazeta “AS”, Reali i Madridit, nuk ka pranuar që minimalisht të ulet në tryezën e bisedimeve me të dërguarit e sheikut Mansur.

Madje, pronari i klubit anglez që synon të lëjë gjurmë edhe në Champions League, i kishte garantuar yllit portugez një rrogë prej 20 milionë eurosh në sezon, duke e bërë lojtarin më të paguar në botë së bashku me Samuel Eto’o, që përfiton të njëjtën shifër te Anzhi në Dagestan.

Oferta e jashtëzakonshme duket se është refuzuar nga presidenti i klubit “merengue”, Florentino Perez, nëpërmjet menaxherit të futbollistit, Horge Mendes. Refuzimi ka ardhur edhe sepse Reali ka përcaktuar një klauzolë me vlerë 1 miliardë euro për prishjen e kontratës me Cristiano Ronaldo.

Tentativa e City-t, që më parë kishin tentuar ta afronin sulmuesin me një ofertë prej 180 milionë eurosh, ka ndodhur përpara disa javësh. Oferta konfirmon se sheiku Mansur nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ëndrra për të pasur në skuadër luzitanin.

E duke parë pakënaqësitë më të fundit të Cristiano Ronaldos në “Santiago Bernabeu”, nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen e afërt ai të hidhet sërish në sulm. Ndoshta që prej merkatos së janarit.

Te “sitizëns” shpresojnë që diferencën në negociatat ndërmjet klubeve do ta bëjë vetë futbollisti, i cili është shfaqur i mërzitur, sepse rroga e tij prej 12 milionë eurosh në sezon te Reali, nga të cilat ai përfiton 10 milionë euro neto, nuk është përmirësuar.

Perez dhe Mansur do të takohen në Madrid më 18 shtator, për ndeshjen e parë të grupit në Champions League. Ky mund të jetë rasti ideal për të diskutuar me detaje dhe ndoshta për të hedhur bazat për një negociate që synohet të realizohet përpara sezonit 2014-2015, periudhë kur hyn në fuqi edhe “fair play” financiar, që nuk e lejon më shpenzimin e shifrave të tilla.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›