E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesha: Garantë të të drejtave të të rinjve

07/08/2009  LSI reagon për procesin e Maturës Shtetërore

“Nisëm tur bisedimesh me faktorë të shoqërisë civile për programin qeverisës”

Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë ditës së djeshme e përqendroi vëmendjen e saj në një nga proceset më të rëndësishme që është duke u administruar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës: Matura Shtetërore. Duke vlerësuar rëndësinë e një procesi të tillë, LSI-ja garantoi mbështetjen e saj për transparencë dhe rregullsi. Ishte zëvendëssekretari i përgjithshëm i kësaj partie Besian Pesha që gjatë një konference për shtyp bëri me dije nismën e LSI-së në funksion të hartimit të programit të ardhshëm qeverisës. “Procesi i Maturës Shtetërore është shumë i rëndësishëm për dhjetëra mijë maturantë, të cilët me ankth janë duke pritur se si do të vazhdojë jeta e tyre akademike dhe profesionale. Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet punën e deritanishme të bërë nga Ministria e Arsimir dhe e Shkencës në administrimin e procesit, por gjithashtu inkurajon të gjitha institucionet e përfshira në të që të tregojnë maksimumin e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit, në mënyrë që ai të jetë i shpejtë, transparent dhe mbi të gjitha i drejtë për të gjithë maturantët, për të shmangur kështu çdo lloj konfuzioni përpara fillimit të vitit universitar”, - u shpreh Pesha. Po në këtë linjë ai garantoi se “LSI-ja do të jetë gjatë gjithë kohës në mbështetje të një procesi sa më të rregullt dhe do të garantojë çdo të ri dhe të re maturante se do të ulet në auditorët e universitetit në saje të meritës së akumuluar gjatë viteve dhe të shprehur gjatë testimeve, por edhe preferencës që ka treguar për shkollimin e lartë”. Po kështu Pesha nënvizoi se “kemi filluar një tur bisedimesh dhe konsultimesh me një sërë organizatash rinore, qeveritë e nxënësve dhe faktorë të tjerë të shoqërisë civile, duke dëgjuar me kujdes të gjitha rekomandimet dhe shqetësimet e tyre në lidhje me procesin e mësimdhënies, aktiviteteve të ndryshme dhe cilësinë e ambienteve shkollore, rekomandime të cilat do të reflektohen në programin e përbashkët qeverisës”.

Premtimi për rininë

“Karta dhe statusi i studentit, projektligji për vullnetarizmin, përmirësimi i mëtejshëm i procesit të Maturës Shtetërore, projektet për sportin dhe kulturën, nxitja dhe mbështetja e projekteve dhe organizatave rinore brenda ambienteve shkollore dhe jashtë tyre do të jenë disa nga nismat konkrete që LSI-ja do të propozojë dhe ndërmarrë gjatë këtij 4-vjeçari. Do t’i garantojmë çdo të riu dhe të reje në Shqipëri lëvizjen e lirë në vendet e Bashkimit Europian.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›