E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për muzikën, arrestohet Sali Lusha

07/08/2009  Në pranga kanë rënë edhe 7 shtetas të tjerë. Prokuroria ngre dy akuza

Ish-truproja i Kryeministrit Sali Berisha është rrahur nga policia në lokalin e tij

KAVAJE- Është prangosur për të disatën herë Sali Lusha, i cili njihet ndryshe edhe si ish-badigardi personal i Sali Berishës në kohën kur ka qenë president. Shkak i këtij arrestimi mësohet të jetë bërë një përplasje midis forcave të policisë së qytetit të Kavajës dhe Sali Lushës, që është pronari i diskotekës “Rio” në plazhin e Golemit. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mesnatës së djeshme, kur pas urdhrit të lëshuar nga kryepolici Ahmet Prençi për mbylljen e lokaleve që shkaktojnë ndotje akustike (zhurmë), efektivat e komisariatit të Kavajës kanë dalë për të inspektuar të gjitha subjektet private që ndodhen në zonën e plazhit të Golemit. Gjatë kryerjes së detyrës grupi policor që po patrullonte në plazh ka vënë re se, edhe pse kishte kaluar orari zyrtar, ora 24:00, në diskotekën “Rio” muzika vazhdonte të ishte tepër e lartë, pasi në të ishte ftuar për të interpretuar muzikë live kompozitori Gjergj Leka. Duke qenë përballë një fakti që shkelte tërësisht urdhrin e lëshuar dy ditë më parë nga Ahmet Prençi, punonjësit e policisë janë afruar pranë ambienteve të diskotekës dhe u kanë kërkuar menaxherëve dhe pronarit të saj që të ulte volumin e muzikës, në rast të kundërt blutë do të urdhëronin mbylljen e diskotekës. Siç duket, me këtë gjë nuk është pajtuar Sali Lusha, i cili mësohet se u ka kërkuar punonjësve të policisë të largohen nga ambientet e biznesit të tij dhe ta linin të qetë. Fillimisht policia është tërhequr, po kur përsëri muzika vazhdonte të ishte e lartë dhe ora kishte kaluar menatën, blutë e komisariatit të qytetit të Kavajës kanë ndërhyrë për të mbyllur aktivitetin e diskotekës “Rio”. Ka qenë pikërisht ndërhyrja e tyre që pronari i diskos, Sali Lusha, së bashku me 7 persona të tjerë, që mësohet të jenë rojat e sigurisë të diskos dhe të afërm të Lushës, janë përplasur fillimisht me fjalë të ndërsjella dhe më pas fizikisht me punonjësit e policisë. Në pamundësi për t’i bërë ballë sherrit që degjeneroi në grushte dhe mjete të tjera të forta, grupi i gatshëm ka kërkuar përforcime nga komisariati i Kavajës dhe ai i Durrësit për të normalizuar situatën dhe arrestuar personat që kundërshtuan me dhunë forcat e policisë. Pas mbërritjes së përforcimeve mësohet se policia ushtroi dhunë ndaj pushuesve që ndodheshin të pranishëm në ambientet e diskotekës “Rio” dhe më pas arriti të vërë në pranga ish-badigardin e Sali Bersihës, Sali Lushën, dhe 7 persona të tjerë, që janë Visar Kashari, Shkëlzen Susa, Mariglen Blliku, Renaldo Gecaj, Rusin Grazhani, Avdyl Gjomakaj dhe Egdar Muça. Mësohet se të gjithë personat janë arrestuar për veprën penale të kundërshtim me dhunë ndaj forcave të policisë dhe prishjes së qetësisë publike. Nuk është hera e parë që Sali Lusha prangoset nga uniformat blu, pasi ai është ndaluar disa herë nga policia. Tropojani Lusha ka qenë i pranishëm edhe kur është ekzekutuar me armë zjarri ish-deputeti i Partisë Demokratike Azem Hajdari, ngjarje e ndodhur më 12 shtator të viti 1998. Për sa i përket këtij krimi, ai ka dëshmuar të gjitha rrethanat në gjykatën e Tiranës.

Gjergj Leka

Kompozitori i njohur ka qenë dëshmitar i atij sherri të ndodhur midis punonjësve të Policisë së Shtetit dhe 8 personave të arrestuar. Leka tha se në ambientet e diskotekës “Rio” kishte qenë duke interpretuar muzikën e tij. Sipas kompozitorit, ritmet e muzikës janë mbyllur komform urdhrit të policisë, por kjo e fundit ka ushtruar dhunë të papranueshme.

Më 9 gusht 2005

Pikërisht në këtë datë Sali Lusha është shoqëruar në ambientet e komisariatit nr. 4 të Tiranës. Nga të dhënat që nxorën në atë kohë burimet policore, thuhej se shoqërimi i Lushës në komisariat është bërë pas një incidenti që pati në Belgjikë trupi diplomatik shqiptar, i cili udhëhiqej nga ish-kryeministri Fatos Nano dhe ish-ministri i Integrimit Paskal Milo.

Më 27 tetor 1999

Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e Sali Lushës, i cili në atë kohë cilësohej si “kapoja” i grupit të tretë dhe të fundit të 14 shtatorit 1999, periudhë kjo kur u tentua të rrëzohej nga pushteti Partia Socialiste. Bashkë me Lushën u arrestuan dhe katër të tjerë: Izet Haxhia, Myftar Lumneshi, Dem Dollapi dhe Kliton Dobrani, të cilët tashmë janë të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›