Peshëngritësja Romela Begaj, sportistja më e mirë e 2009
TIRANE- Romela Begaj është sportistja më e mirë shqiptare për vitin 2009. Peshëngritësja e ekipit kombëtar, e cila u rendit e katërta në kampionatin botëror të Koresë së Jugut si edhe mori medalje ari në Europian dhe Lojërat Mesdhetare, e ka marrë këtë çmim në mbrëmjen Gala të organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku janë nderuar 14 sportistët më të mirë të vitit. Evenimenti është dominuar edhe këtë herë nga sporti i peshëngritjes, që rezulton me arritjet më të mëdha në arenën ndërkombëtare. Të pranishëm në mbrëmjen Gala të organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ishin ministri Ferdinand Xhaferri, dy zëvendës ministrat Nikollë Lesi e Dashnor Bajaziti si edhe presidentët dhe sekretarët e federatave sportive në vend. Në fakt, kishte 4-5 vjet që komuniteti i sportit në Shqipëri nuk bashkohej në raste të tilla. Begaj ka lënë pas shtangistin tjetër të ekipit kombëtar Erkand Qerimaj si edhe kampionen e botës në sportin e xhudos Majlinda Kelmendi. Futbollisti Elis Bakaj, notarja Sara Abdullahu, peshëngritësi Ervis Tabaku, basketbollisti Erkand Karaj, boksierër Marsel Sermi e Serxhio Sina si edhe basketbollistja Migena Plasa, plotësuan dhjetëshen e sportistëve më të mirë të vitit 2009 në Shqipëri. Ministria ka nderuar gjithashtu me çmim volejbollisten e Tiranës dhe ekipit kombëtar Klejda Shkurti, kapitenin e kombëtares së volejbollit Klodian Kasa, futbollistin e Tiranës Gjergji Muzaka dhe skiatorin Erjon Tola. Përveç çmimit, çdo sportist ka përfituar edhe një shumë simbolike prej 50 mijë lekësh për kontributin për vitin 2009. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)