E Hënë, 2 Nëntor 2026

Peshkatari “peshkon” me rrjetë një breshkë 806 kilogramë

25/05/2005  Pesë orë për të nxjerrë nga deti kafshën gjigande

SARANDE - Breshka gjigante, që besohet të peshojë rreth 806 kilogramë bie, në rrjetën e një peshkatari nga Saranda, i cili në këmbim të saj, fitoi një autoveturë “Benz” të ri, prodhim i vitit 2000 nga një miku të tij italian.

Breshka në rrjetë

Rrjeta kishte 30 orë në pritje të peshqeve të detit, ashtu si zakonisht peshkatarët presin për të rënë qoftë dhe një peshk vetëm. Kurrë më parë edhe pse kishte 10 vjet që gjuante në ujrat e detit, peshkatari Hysni Xhemali, nuk kishte mundur të kap një gjah të tillë. Dhe jo vetëm ai, por mbarë komunitetit i peshkatarëve në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit, s’kishin mundur të peshkonin diçka të tillë.

Për vite të tëra në rrjetën e tij binin vetëm disa peshq të zakonshëm ose ndonjë gaforre.

Duket se kesaj radhe fati ka qenë me peshkatarin.

Në fillim Hysni Xhemali, e ka venë re nga hija e zezë, e cila nxinte të gjithë hapësirën e vendit përreth, ku ishin lënë rrjetat e peshkimit një ditë para ngjarjes.

Xhemali tregon se gjiganti i deti është përpjekur të kalojë për në ujërat e liqenit të Butrintit në vendin ku ndahet me detin Jon, vend i cili quhet “Buka e lumit”.

“Jam këtu, shprehet ai, që prej 10 vitesh si peshkatar dhe kjo është hera e parë që kap një kafshë të rrallë deti në gjuetinë time të peshkimit. Shkova në mëngjes për të parë rrjetën dhe nga lëvizja e parë që bëra kuptova se ishte e pamundur ta lëvizja. Ajo peshonte, sipas peshimit që i bëmë më vonë, 806 kilogramë”.

Breshka, 5 orë për të “dalë” në tokë

Peshkatari ka nxituar t’u tregojë kolegëve të tij, t’u kërkojë ndihmë atyre, si dhe të vendosnin se ç’duhej bërë me gjigantin. Pas disa “rrahje mendimesh” ende pa dalë gjahu në pah, peshkatarët u bindën se kafsha ishte një breshkë e madhe, e pazakontë në zonën ku ata peshkojnë prej vitesh.

Pasi u vërtetua gjithçka, burrat vendosën ta nxirrnin në breg të detit. Për të kryer këtë proces u deshën më se pesë orë.

Për të arritur qëllimin deri në fund, peshkatari tregon se i ndihmoi një i ri me skrep, i cili realizoi tërheqjen, pasi kafsha ishte tepër e rëndë dhe nuk mund të ngrihej nga burrat.

“E kam nxjerrë në tokë dhe menjëherë sapo kanë marrë vesh në vendin ku unë peshkoja ka ardhur një miku im italian peshkatar dhe biznesmen, Stefano Razoti, që merret me tregtinë e peshkut. Ai ishte i interesuar për superkafshën e rëndë të detit. Razoti këmbënguli që ta merrte në Itali, por unë fillimisht nuk pranova duke parë si mundësi të parë që ajo të qëndronte në Shqipëri. Më pas vendosa t’ja bëj këtë nder mikut tim italian, duke ia dhënë breshkën e detit kundrejt një shpërblimi“.

Peshkatari ka mbetur i kënaqur nga një vendim i tillë, duke ditur edhe faktin se askush nuk mund ta shpërblente në vendin e tij. Kurse mundësia për t’u lidhur me autoritetet përgjegjës të Italisë ishte e vakët.

Kafsha e detit në kopshtin zoologjik të Romës

Peshkatari këmben breshkën me një “Benz“, të ri, prodhim i vitit 2000

I gjetur para një fati të tillë dhe dashamirësisë së peshkatarit shqiptar, i cili më tepër ka menduar t’i bëjë një nder mikut të tij, italiani vendos ta shpërblejë atë. I njohur edhe si tregtar i peshkut nga Italia, i ka dhuruar në moment peshkatarit shqiptar Hysni Xhemali një autoveturë “Benz“ prodhim i vitit 2000, të papërdorur.

Stefano Razoti e ka çuar me vonë kafshën e detit nëpërmjet linjave të transportit detar drejt e në kryeqytetin e Italisë, Romë. Breshka u vendos në një nga kopshtet zoologjik më të mëdhenjtë në Evropë.

Nga ana tjetër, peshkatari ka marrë çelësat, duke u shprehur i kënaqur për gjahun e tij të fundit, ndërkohë që nuk ka treguar shumë interes për peshqit që ndodheshin në rrjet.

Veprimi „bujar“ i peshkatarit nuk është pritur mirë nga strukturat përkatëse. Sipas autoriteteve për mbrojtjen e specieve të detit, dhënia e breshkës në Itali ka kosto negative, pasi ajo duhej ruajtur në vendin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›