E Hënë, 2 Nëntor 2026

Viktimat e plasjes së minës, 50 mijë euro dëmshpërblim

25/05/2005  Një vit pas incidentit në Kukës

KUKËS - Familjarët e personave që gjetën vdekjen një vit më parë në Kukës dhe atyre që mbetën të plagosur, janë dëmshpërblyer të martën, pas incidentit, ku një minë mësimore, shpërtheu në një klasë, ku po trajnoheshin për punë vullnetare në çminim të kufirit shqiptar me Kosovën.

Dëmshpërblimin e ka realizuar organizata “Handicap International”, me qendër në Gjakovë të Kosovës. Familjarët e dy viktimave, morën nga një shumë prej afro 35 mijë euro secili, ndërsa shteti shqiptar i ka lidhur atyre pensione të përmuajshme në vlerën prej afro 120 euro.

Kurse të plagosurit, marrin dëmshpërblime në shumë më të vogël si dhe një pension invalidësh. Shuma e dëmshpërblimit në total për ta, u akordua 50 mijë euro.

Incidenti i rëndë ndodhi më 24 maj 2004 në Kukës, gjatë një kursi trajnimi për specialistë antiminë. Si pasojë e shpërthimit aksidental, për shkak të pakujdesisë dhe mungesës së sigurimit teknik, dy persona vdiqën menjëherë dhe të paktën dhjetë të tjerë mbetën të plagosur, pesë prej të cilëve në gjendje kritike.

Gjithçka erdhi pas shpërthimit të një mine, e cila konsiderohej si mësimore. Ajo i mori jetën në vend Sokol Sadikut dhe Sulejman Xhidës, përkatësisht 22 dhe 25 vjeç. Nga shpërthimi brenda një ambienti mjaft të lokalizuar, u plagosën edhe dhjetë kursantë të tjerë.

Incidenti erdhi gjatë një trajnimi, i cili organizohej nga qendra “Handicap International”, me 36 kursantë, pretendentë për t’u bërë specialistë të eliminimit të minave në terren.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›