E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkatorja nxjerr në breg kufomën e një burri 40 vjeç

14/12/2010  Mendohet të jetë ose i vrarë ose i aksidentuar, asnjë denoncim për ndonjë të zhdukur

DURRES- Një trup i pajetë është gjetur gjatë kohës kur një peshkatore e nisur nga kalata e peshkimit në Durrës kishte dalë në gjueti. Kufoma është i seksit mashkull dhe është gjetur në derdhje të Shkumbinit. Flota e peshkimit ka bërë të ditur se rreth orëve të mesnatës së kaluar peshkatarët e anijes “Emiljana” kanë parë në afërsi të bregut një njeri.

Kufoma

Peshkatorja ka qenë rreth 3.5 milje larg nga brigjet e detin në kohën që ka ndeshur në një trup pa jetë, të cilën e ka transportuar për në kalatë. Ndonëse ka qenë ora 01 e mesnatës peshkatarët nuk e kanë pasur të vështirë të pikasin objektin pranë mjetit të tyre të gjuetisë ndaj edhe e kanë vlerësuar situatën. Zona në të cilën është gjetur trupi pa jetë i përket komunës Gosë e Vogël në nënprefekturën e Kavajës. Anëtarët e anijes së gjuetisë së peshkut kanë njoftuar dispeçerinë e flotës së tyre në Durrës, si dhe kanë vënë në dijeni policinë. Kjo e fundit ka dërguar në kalatën zero grupin e hetimit, ndërsa kufoma është transportuar për në morgun e spitalit rajonal të qytetit. Oficerët e policisë kanë vërejtur se personi i gjetur nga peshkatorja në afërsi të derdhjes së Shkumbinit ishte i seksit mashkull i moshës rreth 40 vjeç. Të njëjtat pohime bëjnë me dije se trupi i pajetë duhet të jetë aksidentuar apo edhe vrarë me mjete të ndryshme disa kohë më parë. Aktualisht nuk është thënë nëse në polici ka ndonjë denoncim familjar për humbjen apo zhdukjen e ndonjë personi me treguesit që kishte kufoma e gjetur në orët e parë të së hënës. Në morgun e Durrësit gjendet edhe një tjetër kufomë, e cila është transportuar me motoskafët e rojës bregdetare nga vendi ku është parë deri në kalatën zero e që andej me autoambulancë për në morg. Vetëm 5 ditë më parë ekuipazhi i tragetit Ro-Ro “Ropax” sapo ka nisur lundrimin nga Durrësi për në Bari ka parë një kufomë rreth 1.5 milje nga bregu i Currilave. Në të dy rastet policia ende nuk ka mundur të bëjë identifikimin, pasi nuk ka asnjë të interesuar, ndërsa trupat janë të dekompozuar në shkallë të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›