E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Kushtetuesja të shohë ekspozitën për krimet

Kryetarja e Kuvendit deklaroi se, pavarësisht vendimit të Kushtetueses, mazhoranca nuk do të tërhiqet


SHKODËR- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk resht së cituari për mediat, sa herë që pyetet për Gjykatën Kushtetuese, se anëtarët e kësaj trupe, kanë konflikt interesi. Edhe pse shprehet se mazhoranca do të respektojë vendimin e Kushtetueses, Kryetarja e Kuvendit, gjatë një ekspozite të titulluar "M'shirë o Zot se kam gabue", ka deklaruar se mazhoranca nuk do të lejojë që në detyrë të vazhdojnë të qëndrojnë njerëz, që më parë kanë vendosur për varje dhe pushkatim.

"Padyshim që ka konflikt interesi. Kjo është shkruar dhe në letrën drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Por, është detyra jonë, që duke qenë besimtarë të mëdhenj të shtetit ligjor, duhet të ecim përpara, pa menduar se mund të tërhiqemi nga "mea culpa", nga bërja e transparencës dhe nga kërkesa se në postet kyçe të disa segmenteve të shtetit, mos kemi njerëz me të kaluar që kanë shkaktuar të tilla tmerre",- tha Topalli.


Ekspozita e djeshme e zhvilluar në qytetin e Shkodrës, sillte dokumente historike të kohës, me pamje filmike, fotografi, objekte dhe dorëshkrime nga vuajtjet e klerikëve katolikë e myslimanë, gjatë persekutimit nga regjimi komunist, si dhe prishjes masive të objekteve të kultit në të gjithë vendin.


Duke marrë shkas nga pamjet e kësaj ekspozite, Kryetarja e Kuvendit nuk ka nguruar që të shkojë tej qëndrimit të saj, duke sugjeruar që një ekspozitë e tillë të zhvendoset edhe para Gjykatës Kushtetuese.


Pa përmendur emra konkretë, Topalli la të kuptojë qartë se e kishte fjalën për këtë gjykatë, teksa shtoi se një ekspozitë e tillë do ishte mirë të shfaqej për ata që penguan transparencën. "Në fakt, kjo ekspozitë do të qëndrojë hapur në 24 orë dhe do të ishte mirë të lëvizë në të gjithë institucionet, dhe tek ato institucione që kanë penguar bërjen e transparencës për shtetarët e shtetit, dhe për ata që nuk janë penduar, duke mos lejuar të bëjmë transparencë.


Megjithatë, ajo që mendoj është se kjo ekspozitë ka një domethënie të madhe",- tha ajo. Pak kohë më parë, Gjykata Kushtetuese, me 7 vota pro dhe 2 kundër, vendosi pezullimin e ligjit për dosjet, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Ndërkohë, po dje, Kryetarja e Kuvendit premtoi se dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit do të fillojë pas pak ditësh.

"Në ditët e ardhshme fillon menjëherë shpërndarja e dëmshpërblimit për të persekutuarit e regjimit komunist. Paralelisht, në komisionin parlamentar të ligjeve, ne do të kalojmë dhe një amendim të ligjit, duke u dhënë të drejtën e dëmshpërblimit dhe të pushkatuarve pa gjyq, si dhe familjarëve të të dënuarve, që nuk kanë lënë pasardhës, si klerikët apo të dënuar të tjerë",- tha ajo. Në fakt, pak kohë më parë, ligji për ish-të përndjekurit politikë, dhe pikërisht amendimi për të cilin flet Topalli, është kthyer sërish në qeveri për ndryshime, për shkak të faturës së lartë financiare që ajo mbart.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›