“Strukturat sociale në dispozicion dhe mbështetje të banorëve”
Ministri i Punës Spiro Ksera inspekton zonat e përmbytura në ShkodërMinistri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, i shoqëruar nga drejtues të lartë të Ministrisë, zëvendësministrja Filloreta Kodra, dhe drejtorët e përgjithshëm të Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naçi, Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Thoma Miço, etj., ka inspektuar dje zonat e përmbytura në Shkodër dhe rrethina për t’u njohur me situatën dhe nevojat e banorëve. Gjatë inspektimi grupi i ministrisë së Punës u takua me banorët e evakuuar nga zonat e përmbytura, ku u njoh me gjendjen e tyre dhe nevojat për ndihmë, që nga ato psiko-sociale, veshmbathje, ushqime, etj. Banorët vlerësuan reagimin e menjëhershëm të strukturave shtetërore për menaxhimin e situatës dhe për t’u ardhur në ndihmë. Ministri Ksera ju premtoi atyre se të gjitha strukturat do të vazhdojnë të jenë pranë tyre për t’i mbështetur për kalimin e situatës, si dhe se strukturat përgjegjëse janë urdhëruar për të garantuar shpërndarjen pa probleme dhe në kohë të pagesave të ndihmës ekonomike, paaftësisë etj. Më pas, grupi i drejtuar nga Ministri i Punës zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencës të ngritur në Prefekturën e Shkodrës, me Prefektin si dhe me strukturat lokale, të cilat informuan për masat e marra në përballimin e situatës si dhe nevojat e identifikuara deri tani në zonat e përmbytura. Ministri Ksera zhvilloi një takim të zgjeruar me strukturat rajonale të Shërbimit, Social dhe Shërbimit të Punësimit të Shkodrës, të cilave u kërkoi pjesëmarrje aktive në monitorimin e situatës, identifikimin në kohë të nevojave, ofrimin e menjëhershëm të ndihmës psiko-sociale për të shpërngulurit si dhe informimin në kohë reale të strukturave qendrore rreth problematikës, me qëllim marrjen e masave për përgjigjen në kohë ndaj menaxhimit të situatës dhe përmbushjes së nevojave. Me qëllim identifikimin në kohë të nevojave, u caktua një punonjës i zyrës rajonale të shërbimit social të Shkodrës si anëtar i përhershëm i shtabit të emergjencës, të ngritur në Prefekturë. Ministri caktoi edhe një grup pune me përfaqësues të zyrës rajonale sociale për monitorimin e situatës së emergjencës në zonat e përmbytura. ...