E Diel, 1 Nëntor 2026

TVSH-ja për librin shkakton debate në Kuvend, shtyhet miratimi



Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar dje në seancë parlamentare miratimin e ndryshimeve në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Amendimet e propozuara nga Ministria e Jashtme sjellin heqjen e TVSH-së për gazetat dhe revistat e huaja dhe për librat që importohen në Shqipëri, por jo për librin që prodhohet në Shqipëri. Pikërisht kjo është kundërshtuar nga deputetët e opozitës. Ata e kanë cilësuar këtë krijimin e një konkurrence të pandershme. Deputetët e opozitës kërkuan heqjen e TVSH-së dhe për librat që prodhohen në Shqipëri. Ndërsa deputeti i PS-së, Erion Braçe, dënoi ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal duke deklaruar se ndryshimet e shpeshta në ligjet e politikës fiskale dëmtojnë biznesin. Deputeti Erion Braçe kërkoi që ndryshimet në legjislacionin fiskal Ministria e Financave t’i përfshijë në paketën fiskale e cila do të miratohet në Kuvend bashkë me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Ndërsa ministri i Financave, Bode, e cilësoi heqjen e TVSH-së si një lehtësi që qeveria krijon për biznesin. Ai u shpreh se kohët e fundit vërtet qeveria ka bërë ndryshime në politikën fiskale, por ndryshimet, sipas tij, janë bërë vetëm për të ulur taksat dhe për të krijuar lehtësi për bizneset. Më tej Bode hodhi poshtë akuzën e opozitës, sipas së cilës heqja e TVSH-së cenon konkurrencën e ndershme në treg. Ndërsa përsa i përket çështjeve të tjera të ngritura si shqetësuese nga opozita, Bode u shpreh se të gjitha këto çështje janë të negociueshme me BE-në. Ministri tha se BE-ja ka kërkuar prej kohësh që Shqipëria të heqë akcizën e peshkimit dhe rimbursimin e energjisë elektrike, por qeveria nuk e ka pranuar këtë kërkesë, sepse në këta sektorë është e nevojshme ndihma e qeverisë. Me gjithë debatet e shkaktuara në sallën e Kuvendit, ndryshimet në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nuk kaluan për miratim për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, gjë që solli moskrijimin e kourumit të nevojshëm.

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›