E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcimi i euros, shtrenjton mallrat e importit. E ardhmja e kursit, e paqarte

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 17 shkurt, 14:36, NOA - Monedha europiane këmbehet në  kufijtë e 130 lekëve, ndërsa një dollar duke iu referuar Bankës së Shqipërisë ka arritur në 102 lekë.

Forcimi i valutave rrezikon të shtrenjtojë produktet e importit, të cilat në më të shumtën e rasteve blihen me euro. Biznesi vëndas e konsideron këtë situatë një kosto shtesë në punën e tyre. Sipas drejtorit të Konfindustrias, Stefan Pinguli shitjet në tregun vëndas kanë rënë me afro 20%. Ky fakt ka bërë që biznesi të ulë çmimet.

Nga ana tjetër, kësaj situate i shtohet edhe forcimi i euros, çka e detyron biznesin të blejë lëndën e parë me kosto më të shtrenjtë. “Kjo është një situatë paradoksakle”, shprehet Pinguli. Efekti tjetër negativ i forcimit të euros është për ata kredimarrës që paguajnë kredinë në euro, ndërsa të ardhurat i kanë në lekë. Ky fakt shtrenjton këstin mujorë të kredisë.

Por Banka e Shqipërisë qetëson qytetarët duke thënë se kjo është vetëm një situatë sezonale.

Sipas drejtorit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, për një ndjekës të vazhdueshëm të kursit të këmbimit, kjo situatë është normale. 

Sipas tij, çdo fillim viti shoqërohet me një kërkesë në rritje të euros, pasi kompanitë mbyllin bilancet, nga ana tjetër kjo periudhë nuk është kohë që emigrantët të sjellin valutë.

Por për ekspertët ky çrregullim i kursit të këmbimit përvec sezonalitetit lidhet edhe me krizën ekonomike, pasi disa tregues janë në rënie.

Elvin Meka, sekretar i Shoqatës së Bankave shprehet se jo vetëm që emigrantët po sjellin më pak euro, por edhe investimet e huaja janë me tregues në rënie, nga ana tjetër edhe eksportet po bien. Pra sektorët që kontribuojnë në të hyrat e valutës kanë shfaqur shenja negative, ndaj situatë ka arritur në këtë pikë.  Por qeveria shprehet optimiste.

Sipas zëvendësministrit të Financave Sherefedin Shehu, qeveria është në fazën e marrjes së nje kredie deri në 300 milion euro.

Kjo kredi do të përdoret për investime publike. Hedhja në treg e kësaj valute pritet të stabilizojë situatën. Por kjo kredi pritet të bëhet efektive në muajin prill. Deri atëherë askush nuk thotë me siguri se çfarë do të ndodhë me kursin e këmbimit. 

r.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›