E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohet shefi i krimeve të Rinasit, Astrit Gjonpali

Shkak denoncimi i një kroati për dhunë. Komisari: Çështja është e ekzagjeruar dhe është private

Pezullohet nga detyra shefi i krimeve në Komisariatin e Rinasit, komisar Astrit Gjonpali. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Shtetit pohojnë se shkaku i pezullimit është dhuna që ka ushtruar ndaj një shtetasi të huaj Gjnpali.

Vendimi për pezullimin e tij është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, pas një kallëzimi penal që ka bërë një shtetas kroat për ushtrim dhune nga komisar Gjonpali.

Qytetari nga Kroacia, pronar i një agjencie udhëtimesh ka denoncuar disa ditë më parë Astrit Gjonpalin në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm për ushtrim dhune.

Pas verifikimeve dhe hetimeve nga SHKB-ja, kjo e fundit e ka dërguar çështjen në Prokurorinë e Tiranës për hetimin e ngjarjes dhe pas zbardhjes së ngjarjes është marrë vendimi nga numri një i policisë për pezullimin e shefit të krimeve në Komisariatin Rinas.

I kontaktuar me telefon nga Gazeta "Shekulli" për këtë ngjarje, Astrit Gjonpali ka deklaruar se kjo ngjarje është e ekzagjeruar dhe sipas tij organet e drejtësisë pas hetimeve, do të nxjerrin një përfundim të plotë.

"Kjo ngjarje nuk është ashtu siç pretendohet dhe ka disa ekzagjerime dhe mund të them që nuk ka të bëjë me detyrën që kam patur si shef i krimeve ne Komisariatin e Rinasit",- u shpreh Gjonpali pas pezullimit nga detyra. Vendimi i Prençit për pezullimin e zyrtarit të policisë ka ardhur pas një relacioni që institucioni i akuzës i kryeqytetit i ka dërguar këtij të fundit.

Burime zyrtare nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pohojnë se pas hetimeve të kryera është arritur në përfundimin se Astrit Gjonpali pas ushtrimit të dhunës ndaj shtetasit kroat nuk mund të qëndronte më në detyrën e drejtuesit të krimeve në Komisariatin e Rinasit.

Komisar Astrit Gjonpalaj nuk ka qëndruar për një kohë të gjatë në detyrën e shefit të krimeve në Komisariatin e Rinasit, pasi ai ishte emëruar në këtë post vetëm dy muaj më parë.

Edhe para se të merrte detyrën e shefit të krimeve në Komisariatin e Rinasit, Gjonpali ka pasur poste drejtuese në polici, duke qenë shef i parandalimit të krimeve në Komisariatin numër dy në kryeqytet.

Ndaj Astrit Gjonpalit ka patur një tjetër kallëzim penal, po me të njëjtin motiv të biznesmenit nga Kroacia. Bajram Hadarmataj që aktualisht është shef i Komisariatit të Librazhdit ka denoncuar Gjonpalin për ushtrim dhune, para se ky i fundit të merrte detyrën e shefit të krimeve në Komisariatin e Rinasit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›