Pheniani kërkon marrëdhënie më të mira me SHBA-në
Koreja e Veriut dëshiron tejkalimin e armiqësive me SHBA-në. Me anë të një kumtese, Pheniani paralajmëroi se synon vendosjen e një sistemi të përhershëm të paqes në Gadishullin e Koresë.
“Pheniani me anë të dialogut dëshiron të pastrojë rajonin nga armët bërthamore”, u theksua në kumtesën e qeverisë në Phenian.
Megjithatë, SHBA-ja reagoi e përmbajtur.
“Me qëllim që të vendoset paqja dhe stabiliteti në Gadishullin e Koresë dhe pjesën tjetër të Azisë, duhet t’i jipet fund armiqësisë mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së”, u theksua në komentin kryesor të publikuar në një prej gazetave më të rëndësishme zyrtare të Koresë së Veriut.
“Është qëndrim i vazhdueshëm i Phenianit se duhet të vendoset një sistem i përhershëm paqësor në Gadishullin e Koresë dhe që ky rajon të pastrohet nga armët bërthamore nëpërmjet dialogut dhe negociatave”, u theksua më tutje.
Qeveria e SHBA-së reagoi e përmbajtur, duke theksuar se Pheniani vullnetin e vet të mirë duhet ta dëshmojë me rikthimin në negociatat gjashtë-paleshe.