E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri, ndalohet largimi nga vendi i vjehrrës së Aldo Bares

Policia e Prokuroria ndalojnë largimin nga vendi të vjehrrës së Aldo Bares. Dyshohet se ka falsifikuar dokumentet me të cilat do të merrte nënshtetësinë rumune dhe që mbante në momentin e arrestimit kapobanda e Lushnjes, Alfred Shkurti, alias Aldo Bare, apo Mikel Kodra. Ky ka qenë edhe urdhri që i është komunikuar dje kësaj të fundit nga ana e autoriteteve policore të kryeqytetit. Sipas burimeve nga policia, 52-vjeçarja Vjollca Kodra është marrë sërish në pyetje mbrëmjen e dy ditëve më parë në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Asaj i është bllokuar pasaporta, si dhe i është komunikuar moslargimi nga vendi ynë. Sipas burimeve, 52-vjeçarja me origjinë nga Lushnja është marrë nën hetim në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë së Tiranës. 52-vjeçarja Kodra dyshohet të jetë autorja e falsifikimeve të dokumenteve, me të cilat kreu i “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare, ka tentuar të fitojë nënshtetësinë rumune, vend në të cilin ndodhet edhe bashkëshortja e tij, Denada Kodra. Sipas burimeve, gruaja dyshohet të ketë falsifikuar dokumentet në të cilën Bare mbante emrin Mikel Kodra. Ndaj 52-vjeçares, shtojnë burimet, nuk është ngritur ende një akuzë. Vjollca Kodra u shoqërua dy ditë më parë në Komisariatin e Policisë së Rinas, teksa tentonte të udhëtonte për në Turqi. Ajo u mor një orë në pyetje në lidhje me vendndodhjen e vajzës së saj, Denada Kodra, e cila rezulton të jetë bashkëshortja e Aldo Bares sipas certifikatës në të cilën ky i fundit mban emrin Mikel. Gjatë shoqërimit të saj, 52-vjeçarja ka bërë me dije se do të shkonte disa ditë më pushime për në Turqi, udhëtim i cili është penguar nga ana e autoriteteve policore. Sipas dyshimeve, gruaja mund të jetë bashkëpunëtore e vajzës së saj, e cila është shpallur në kërkim. Ndaj bashkëshortes së Aldo Bares ka një fletë-thirrjeje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilën ajo nuk e ka marrë parasysh dhe nuk është paraqitur për të dhënë shpjegime. Kodra rezulton të jetë pronare e Lagunës së Karavastasë në Lushnjë, pasuri të cilën nuk ka mundur dot ta justifikojë përpara prokurorëve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Duket se e dashura e Aldo Bares nuk ka mundur të justifikojë lagunën, e cila është në emrin e saj, ndaj dhe i është shmangur kontakteve, duke u larguar jashtë vendit. Të gjitha pasuritë të cilat Bare i ka kaluar në emrin e bashkëshortes së tij kanë mundur t’iu shpëtojnë sekuestrimeve nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasuri që dyshohet të jetë vënë në sajë të aktivitetit të tyre kriminal gjatë kohës që Bare drejtonte “Bandën e Lushnjës”.

Detaj

52-vjeçarja Kodra dyshohet të jetë autorja e falsifikimeve të dokumenteve, me të cilat kreu i “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare, ka tentuar të fitojë nënshtetësinë rumune, vend në të cilin ndodhet edhe bashkëshortja e tij, Denada Kodra

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›