E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pi helmin vdekjeprurës, niset vetë për në varrezat e fshatit

16/05/2005  Zjarrfikësi 45-vjeçar lë dy letra, një me amanete, një me listën e borxheve

GJIROKASTER – Një punonjës i repartit të zjarrfikëseve në Gjirokastër, baba i dy fëmijëve, i ka dhënë fund jetës së tij dje, duke pirë helm, në një gjëndje të rëndë depresive. Shkak për gjendjen e 45-vjeçarit, Rrapo Veliu, mësohet se është bërë situata tepër e vështirë ekonomike. Ai, së bashku me familjen e tij, mbijetonin në Gjirokastër, me rreth 200 mijë lekë të vjetra në muaj, dhe me një listë borxhesh që Veliu e ka lënë të shkruar.

Pasi ka pirë helmin në fshatin e tij të lindjes, punonjësi i zjarrfikëseve është nisur “me këmbët e veta” drejt varrezave, por pa mundur të arrinte atje. I vetëhelmuari është gjetur i vdekur në rrëkenë e një përroi, pranë varrezave të fshatit të lindjes, Fushë-Bardhë.

Në xhepat e të vetëflijuarit janë gjetur dy letra të lëna për familjen e tij, dhe një tjetër ku ishin renditur borxhdhënësit dhe shumën e tyre, e cila arrinte në 20 milionë lekë (të vjetra).

Ngjarja

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Gjirokastrës, mësohet se dje, rreth orës 07.00 të mëngjesit, është gjetur i vdekur në një rrëke përroi në fshatin Fushë-Bardhë, shtetasi Rrapo Veliu.

Zjarrfikësi 45-vjeçar, është gjetur pa frymë nga bashkëfshatarët e tij, të cilët i kishte lënë disa vite më parë, për t’u vendosur në Gjirokastër, në kërkim të një jete më të mirë, së bashku me gruan e dy fëmijët.

Pas gjetjes së kufomës, është dhënë alarmi dhe informacionet nuk kanë vonuar që të arrijnë në sallën operative të policisë. Mbërritja e uniformave blu në vendngjarje, ka qenë e menjëhershme, por çdo gjë ka qenë e kotë, pasi kolegu i tyre i mbrojtjes ndaj zjarrit, kishte ndërruar jetë, duke mos lejuar askënd që të ndryshonte vullnetin e tij të fundit, të mos jetonte më.

Më pas, trupi pa jetë i Rrapo Veliut, është dërguar në morg, ku iu krye ekspertiza mjeko-ligjore. Sipas burimeve zyrtare policore, mësohet se është përcaktuar vetëm se ai ka vdekur nga përdorimi i një lënde helmuese, por ekspertët akoma nuk e kanë përcaktuar llojin e helmit, që ka përdorur zjarrfikësi për të shuar jetën e tij.

Motivi

Sipas burimeve zyrtare të policisë së qytetit të gurtë, bëhet e ditur se Rrapo Veliu, prej disa kohësh ishte parë nga kolegët e tij në një gjëndje të rëndë depresive.

Situata e tij, sipas dëshmive të zjarrfikësve të tjerë, kishte vetëm një motiv: Gjëndjen e rëndë ekonomike me të cilën ai përballej çdo ditë.

Prej disa vitesh ai ishte banor i qytetit të Gjirokastrës, ku kishte marrë një shtëpi me qera, për të jetuar së bashku me gruan e dy fëmijët.

Për Veliun, duket se ka qenë e pamundur që të siguronte burime të tjera jetese për familjen, e cila mbijetonte me rrogën mujore të tij.

Rrapo Veliu, mësohet se kishte marrë deri në rreth 20 milion lekë të vjetra borxh, dhe ndjehej i pafuqishëm që t’i shlyente borxhet. Situata e krijuar duket se ka rënduar së tepërmi në “supet” e 45-vjeçarit, i cili ka parë si shpëtim të vetëm të tij, vetëflijimin.

Iu gjetën në xhep dy letra

“Amanet familjen” dhe “lista e borxheve”

Rrapo Veliu, duket se e ka menduar jo pak vdekjen e tij. Në xhepat e tij, dje, janë gjetur dy letra të shkruara me shkrim dore nga vetë i ndjeri. Në njërën letër që i drejtohej pikërisht familjarëve të tij dhe të afërmve, ai ka shpjeguar të gjitha motivet që e kanë çuar deri në marrjen e vendimit ekstrem.

Ai i kërkonte ndjesë familjarëve, por nuk kishte se çfarë të bënte, pasi nuk ia dilte dot. Ai i kërkonte familjarëve të tij, që të kujdeseshin për fëmijët e gruan e tij.

Ndërsa në një letër të dytë që i është gjetur po në xhep, mësohet se kanë qenë të renditur të gjithë miqtë dhe të njohurit që i kishin dhënë para borxh, në këtë përiudhë të vështirë, Rrapo Veliut. Para se të vdiste, ai kishte renditur të gjithë emrat, së bashku me shumën që i kishte dhënë sejcili. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se nga një llogaritje e përafërt, mësohet se zjarrëfikësi i kishte rreth 20 milion lekë të vjetra borxh personave të ndryshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›