E Diel, 1 Nëntor 2026

Pianistët e rinj, në një garë talentesh

Takimi VI Mbarëkombëtar i Brezave Pianistë ka ngjitur në skenë rreth 200 pianistë të rinj profesionistë dhe joprofesionistë. Mbrëmjen e së hënës, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit janë ngjitur për interpretim "Pianistët e vegjël", fëmijë të cilët e mësojnë për pasion këtë instrument. "Është një festë e vërtetë, e mbushur plot emocione për nxënësit, mësuesit, por edhe familjarët që vijnë të ndjekin këto koncerte. Një takim brezash sepse këto aktivitete bashkojnë pianistët e vegjël, nisur nga ata 5-vjeçarët deri te brezat e parë që kanë dalë nga shkolla artistike, të cilët janë pjesë e stafit të mësuesve apo të jurisë, shprehet Takuina Adami, drejtore artistike e aktivitetit. I organizuar nga shoqata "Epta-Albania", kjo maratonë artistike e nisur me Festivalin XIV "Pianisti i Ri", i mbajtur në Vlorë, do të mbyllet me një koncert që organizohet sot në hollin e TOB, ku nxënës profesionistë të shkollës "Jordan Misja", do të interpretojnë për piano me katër duar. Në programin e këtyre takimeve janë ftuar të interpretojnë edhe dy fituesit e çmimeve kryesore të festivalit "Pianisti i Ri" që u zhvillua në Vlorë, pianistja Gysi Teqja, fituese e çmimit "Lola Gjoka" nxënëse e shkollës kombëtare artistike "Jordan Misja" dhe fituesja e çmimit "Karriera", Antha Mitrushi, nxënëse e shkollës "Servete Naçi" Tiranë. "Ne kemi një program të përshtatur sipas grupmoshave, të cilët fillojnë me interpretimin e pjesëve të lehta për të luajtur më pas autorë të njohur botërorë si Moxart, Bethoven, Shubert, Shopen, apo ata shqiptarë si Tonin Harapi, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi etj.", thekson Adami. Sipas saj, juria e këtyre takimeve që vlerëson interpretimet e pianistëve përbëhet nga mësues me përvojë nga Tirana, Durrësi e Korça si Eli Kacidha, Adelina Mula, Anita Vezuli, Shpresa Tafaj e Vjollca Stamo. "Këto veprimtari artistike, të organizuara nga Epta-Albania, janë një ndihmë konkrete që talentet tona të ndjehen të pozicionuar me kërkesat bashkëkohore dhe ato më të spikatura të na përfaqësojnë në koncertet jashtë vendit", përfundon Takuina Truja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›