E Shtunë, 31 Tetor 2026

Picurka: Kemi ardhur për futboll, jo për luftë

TIRANE-Viktor Picurka, trajneri i Rumanisë, i druhet një hakmarrjeje të shqiptarëve në ndeshjen e së martës. Duke folur sot, pas seancës së fundit në “Qemal Stafa”, ai ka deklaruar se vjen në Tiranë për fitore, por e di se këtë herë nuk do të jetë aq e lehtë sa 4 vite më parë. “Nuk kemi ardhur për barazim dhe nuk firmos për barazim, - deklaroi ai. – Shqipëria është një skuadër e mirë, që na mori një barazim në fushën tonë dhe prej atij rezultati them se sot nuk jemi në luftë për kualifikim. Ne vijmë me mungesa, por kemi lojtarë të tjerë që mund t’i zëvendësojnë”, shtoi trajneri i Rumanisë, duke përmendur emrat e Rat, Moci, San Marten dhe Mecel, që nuk do të jenë në fushë.
Sipas Picurkës, skuadra e tij ka më shumë kualitete dhe është kjo arsyeja përse ai beson te fitorja. I pyetur nëse i druhet një hakmarrjeje të shqiptarëve për disfatën 6-1 të vitit 2007, ai u shpreh: “E di se shqiptarët duan hakmarrje për atë humbje. Edhe ne po të ishim, do të motivoheshim më shumë nga një disfatë e tillë. Por, kjo nuk na tremb, përkundrazi, në motivon më shumë. Sidoqoftë, mendoj se nuk ekziston asnjë luftë në këtë takim, por vetëm futboll. Nuk mund te them asgjë për shoqëritë e basteve që favorizojnë rumunët për këtë takim. Para disa kohësh vura një bast qe fitonte Bullgaria ne Tirane, por ai takim doli barazim,” u shpreh Picurka. Ndërsa ai ka udhëtuar drejt Tiranës, në Rumani, ish-trajneri i kombëtares Kornel Dinu, ka lëshuar akuza të tjera, duke e quajtur Picurkën një kumarxhi. “Njëherë isha i pranishëm në një lojë pokeri, ku Picurka luante me Xhovani Bekalin dhe Netoiu. Ishim në avion për në Gjenevë. Ai është kapur edhe në kazino dhe është një njeri që nuk ka kredibilitet. Jo vetëm te lojtarët, por edhe te njerëzit”, deklaroi Kornel Dinu.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›