E Diel, 1 Nëntor 2026

Pija fut në sherr me thika fqinjët, vdes 40-vjeçari

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 12-04-2011 16:06

DURRËS- Dy banorë të qytetit të Durrësit, fqinjë prej 20 vitesh me njëri-tjetrin, janë përleshur me thika, ndërkohë që njëri prej tyre, për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë, duke gjetur vdekjen rrugës për në spital. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në lagjen nr 1 të Durrësit, në zonën e Currilave dhe ka pasur si protagonistë shtetasit Agim Ramca dhe Muharrem Asllani. Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22.10 në banesën e shtetasit Agim Ramca 40 vjeç, i cili ka humbur jetën pasi është qëlluar me thikë nga fqinji i tij Muharrem Asllani 55 vjeç. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se Muharrem Asllani, i lindur në Rrogozhinë dhe banues në lagjen numër 1 në Durrës, i cili ishte i punësuar si roje nate, duke pasur në vëzhgim disa lokale në Currila, është autori i akuzuar i krimit të ndodhur në shtëpinë e viktimës Agim Ramca. 40-vjeçari Ramca dhe 55-vjeçari Asllani kanë shtëpitë pranë njëri-tjetrit dhe njiheshin si shokë prej afër 20 vitesh. Një natë më parë Muharrem Asllani, baba i dy fëmijëve, ka shkuar për darkë në shtëpinë e shokut dhe aty kanë pirë sasi të konsideruar alkooli. Burimet zyrtare të policisë thonë se në gjendje të dehur ata kanë nisur të grinden deri në konfrontim fizik. Familjarët e viktimës Ramca duket se kanë qenë të pajtuar me skenën e grindjes mes tyre, pasi kjo thuhet se kishte ndodhur edhe herë të tjera. Por askush nuk e kishte menduar se këtë herë sherri do të përfundonte tragjikisht. Shtetasi Muharrem Asllani ka marrë thikën nga tavolina dhe ka goditur shokun e tij, të zotin e shtëpisë, në kraharor. Mjekët kanë deklaruar për agjentët e policisë se viktima kishte vdekur para se të mbërrinte në spitalin e Durrësit dhe se 40-vjeçari Agim Ramca, i papunë dhe baba i tre fëmijëve, ishte goditur me thikë në zemër. Efektivat e policisë janë vënë në dijeni për ngjarjen nga vetë familjarët, ndërkohë që autori i dyshuar i krimit shtetasi Muharrem Asllani nuk është larguar nga banesa ku ka bërë krimin. Ai është vënë në pranga pas afër një ore, ndërkohë që policia ka treguar kujdes për të shmangur ndonjë të papritur tjetër midis familjeve që jetojnë afër me njëra-tjetrën. Ngjarje të tilla kanë pasur përfundim të ngjashëm në të kaluarën, pasi në rrethana të njëjta ka ndodhur pak muaj më parë vdekja e një personi për shkak të sherrit që nisi me shokun e tij, pasi kishin konsumuar shumë alkool në orët e vona të natës në Shkozet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›