Pike Ndajeni Topin e Arte mes Ksavit Mesit e Iniestes
Mbrojtësi i Barcelonës, Xherard Pike, mendon se “Topi i Artë” duhet t’i jepet të tre shokëve të tij të skuadrës. Futbollistët “blaugrana”, Lionel Mesi, Ksavi Hernandez dhe Andres Iniesta janë finalistët për trofeun prestigjioz për vitin 2010. Ata kanë qenë vendimtarë në triumfin e Barçës në La Liga-n e sezonit të kaluar. Argjentinasi Mesi vlerësohet gjerësisht si lojtari më i mirë në botë, por Ksavi e Iniesta kanë avantazhin se ishin elementë kyçë të përfaqësueses spanjolle, që fitoi Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut. Zgjedhja ndërmjet këtyre yjeve nuk është aspak e lehtë dhe Pike nuk dëshiron të përcaktojë vetëm një fitues. Përkundrazi, ai mendon se çmimi duhet të ndahet ndërmjet të treve, pasi shokët e tij e meritojnë një vlerësim të tillë. Gjatë një deklarate për gazetën “AS”, 23-vjeçari që ka mbrojtur edhe ngjyrat e Mançester Junajtid tha: “Po të ishte në dorën time, do t’ua jepja të treve ‘Topin e Artë’. Mesi është pa dyshim lojtari më i mirë në botë, por prej triumfit në Botërorin 2010, në garën për këtë trofe duhet të jenë Ksavi dhe Iniesta”. Pike ka folur edhe për forcën e Barçës: “Pas fitores 5-0 përballë Realit të Madridit në ‘El Clasico’ jam bindur se luaj në skuadrën më të fortë në botë, përkrah futbollistëve më të mirë”.