Piloti: Si më mbajtën pesë muaj peng në burgjet e Afrikës

Piloti Xhejms Berisha
Flet Xhejms Berisha, piloti që loboi për Kosovën.
Në shtetin e Eritreas më kujtuan për spiun amerikan. Behgjet Pacollit i kam borxh jetën
Kur Xhejms Berisha shpalli misionin Flying for Kosovo, lobimin për njohjen e pavarësisë nëpërmjet publicitetit me aeroplan privat mbi shtetet e Amerikës Latine dhe Afrikës, gjithkujt iu duk si aventurë. E rrezikshme, duhet shtuar sot, tri vite pas iniciativës së pilotit 40-vjeçar shqiptaro-amerikan. Gjatë fluturimit mbi qiejt e 95 shteteve, në dy prej tyre ka qenë në prag të vdekjes. Herën e parë, në Sudan, më shpëtoi Zoti. Në të dytën, në Eritrea – Behgjet Pacolli, thotë Xhejms Berisha që në nisje të intervistës ekskluzive për gazetën Panorama, duke na bërë kuriozë për vijimin. Sa për fundin, vjen i lumtur në këtë rrëfim, ashtu siç janë të gjitha historitë e pambaruara. Sepse Xhejms Berisha ka edhe dy shtete të tjera për të përshkuar me avionin e tij para se të mbyllë zyrtarisht misionin Flying for Kosovo. Janë Egjipti dhe Libia, dy vendet ku mbizotëron kaosi dhe paniku, por këto nuk janë arsyet përse ai ka ndërprerë fluturimet për Kosovën. Fiks një pyetje për tiu bërë Xhejms Berishës…
Më 29 shkurt u bënë tre vjet që kur keni nisur lobimin Flying for Kosovo, por që është ndërprerë prej shumë muajsh. Për çfarë arsyesh?
Me aeroplanin tim modest Cesnna 172, 4-vendësh, me një motor (të prishur tashmë), që e bleva në nisje të misionit, e kam ndërprerë lobimin që në fund të majit 2011, pasi pësova aksident në një shkretëtirë të Sudanit, në Afrikë. Nga përplasja në tokë, avioni më doli jashtë përdorimit. Ndërsa më pas tentova të loboj duke udhëtuar me mjete të tjera, derisa të rregullohej avioni im. Në gusht 2011 u nisa për në shtetin që personalisht e quaj diktatorial, Eritrea, ku më ndodhi aksidenti tjetër dhe mbeta për 5 muaj në burg si peng.
Të ndalojmë pak te aksidenti i parë në Sudan. Çfarë ndodhi?

Xhejms Berisha me Pacollin pas lirimit
U çova në fluturim nga Port Sudan për të shkuar drejt Chartum-it, kryeqytetit të Sudanit. Temperaturat ishin tejet të larta, i kishin kaluar 45 gradë celsius, ndërsa poshtë shihja shkëmbinjtë e shkretëtirës që më ngjanin herë të tillë, e herë si mirazh. Isha rreth 8500 këmbë në ajër, ose 2700 metra mbi nivelin e detit kur ndjeva të dridhura dhe kërcitje në avion. Vaji i motorit plasi gjithandej dhe motori doli jashtë funksionit. Asgjë nuk kontrolloja dot më dhe çfarë ishte më e rrezikshme, shkëmbinjtë ishin tepër të lartë. Nga minuta në minutë mund të bija sipër tyre. Kështu po rrëshqisja drejt tokës, ndërkohë që tentova të kërkoj ndihmë nëpërmjet frekuencave. Fatmirësisht rastisa në frekuencë me një pilot tjetër, me të cilin mbajta komunikimin gjatë gjithë kohës, duke i transmetuar koordinatat. Pas 10 minutash, falë Zotit, arrita të kaloja shkëmbinjtë dhe prej së largu vura re një rrugë të gjatë dhe të gjerë, por të paasfaltuar. Duke qenë se e vetmja gjë që punonte në kabinë ishte timoni, e drejtova atë drejt rrugës që piketova. Pesë minuta më pas, me shumë vështirësi, arrita të prek tokën, duke ecur zvarrë me aeroplan në atë rrugë, e cila për pak metra përfundonte në një humnerë të madhe. Pata fat që në atë rrugë kalonin rrallë makina, pasi përdorej vetëm për tu lidhur me një minierë, rreth 43 km që aty. Ndërkaq, pilotin me të cilin po rrija në komunikim me anë të frekuencave, e lajmërova për vendndodhjen.
A u lënduat nga ky aksident?
Vetëm tronditje të brendshme pata, jo ndonjë gjë të rëndë. Lëndimin më të madh e pata psikologjik, por edhe material. Nga ky aksident mu dëmtua aeroplani, i cili edhe sot e kësaj dite ndodhet atje. Motori më i lirë që arritëm të gjenim më pas kushtonte 20 mijë dollarë, ndërkohë që duheshin dhe shpenzime të tjera për transportin, karburantin, dhe misioni nuk i kishte kaq para.
Po vetë, a patët probleme për tu larguar që andej?
Kam pasur ankth shumë, por edhe ndihmë. Rreth një orë e gjysmë pasi u rrëzova mbi shkretëtirë, që larg po shihja një valë pluhuri që po vinte drejt meje. Një makinë tip Jeep u ndalua para meje dhe nuk prita sa të flasin ata, por iu luta në anglisht për pak ujë, duke u treguar njëkohësisht një shishe bosh që e kisha vetë. Pasi më dhanë ujë, nisa ti tregoj historinë njërit prej tyre që dinte anglisht, i cili mori dikë në telefon. Pas një ore, 30 persona të tjera erdhën pranë meje. Siç mora vesh më vonë, ishin menaxherë dhe punëtorë sudanezë të minierës që ndodhej në fund të asaj rruge. Në mes tyre, dua të përmend atë që tashmë është miku im, kanadezin Denis Baillargeon. Njëherë, gjatë një udhëtimi të tij nga Maqedonia për në Bullgari, atij i kishte ndihmuar një shqiptar në një moment të vështirë. Ai nuk e kishte harruar atë mirësi dhe sapo kishte marrë vesh që jam shqiptaro-amerikan, kishte shfaqur menjëherë dëshirën dhe vullnetin për të më ndihmuar. Atë natë Denisi më mori në ndërtesat pranë minierës dhe më trajtoi si mik shtëpie, duke më ofruar çdo gjë. Të nesërmen, nga siguria nacionale e Sudanit dhe aviacioni civil erdhën ekspertët përkatës për kryerjen e hetimeve mbi aksidentin. Ata tentuan që të më mbanin në paraburgim, por pas përfundimit të procedurave dhe marrjes sime në pyetje, Denisi autorizoi dhe organizoi një ekip për ngarkimin e aeroplanit tim në një kamion karroatrec, me të cilin ata transportonin edhe buldozerët e tyre tejet të rëndë. Për 7 orë ishin 10 persona që mezi e mbaruan këtë proces, i cili përfundoi kur avioni u depozitua pranë minierës, i ruajtur me roje. Transportimi është ndjekur edhe nga forca të shumta e të armatosura të policisë, ndërsa temperatura ishte 47°C. Në ditën e katërt, personeli i minierës më ndihmoi për të shkuar në Port-Sudan për të marrë një vizë, pasi si pilot unë kisha të drejtë qëndrimi vetëm 72 orë. Megjithatë, nuk doja që ta lija në mes misionin. Për më tepër që isha drejt fundit. Në radhë për të lobuar ishte shteti i Eritreas, ku vendosa që të udhëtoj drejt tij me aeroplan komercial. Pra, pagova biletën.
Kur u nisët në Eritrea në Afrikës?
Më 9 gusht 2011. Arrita në aeroport, paraqita dokumentet dhe shkova më pas në hotel. Qëndrova për 6 ditë me radhë dhe gjatë kësaj kohe paraqita shkresën zyrtare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe fola për lobimin edhe me diplomatë të Francës të atashuar aty, të cilët kanë marrëdhënie më të mira me këtë shtet, që njihet për mënyrën jodemokratike të qeverisjes. U përpoqa të kontaktoj me median, por ndryshe nga shtetet e tjera, ishin të gjitha të censuruara. Pas 6 ditësh duhej të kthehesha në Chartum. U ktheva në aeroport, dhashë pasaportën dhe dokumentacionin e plotë, pagova 20 dollarë taksa dhe po prisja fluturimin. Gjithçka ishte në rregull deri 10 minuta para se të hipja në avion.
Çndodhi në këto 10 minuta?
Më vijnë nga personeli i aeroportit dhe më thonë që ti ndjek, pasi nuk kam mbushur edhe një formular tjetër para largimit. Shkova pas tyre dhe kur u futëm në zyrë, më pyesin se pse nuk kam vizë.
Pse nuk kishit vizë?
Si pilot, nuk më nevojitej.
Po ju udhëtuat në mënyrë private. Komerciale, siç e theksuat…
Dakord, por unë mbetem sërish pilot. Unë isha futur në aeroportin e Eritreas me të njëjtin dokumentacion që edhe po largohesha.