Pinarit i ofrohet statusi i të penduarit
Prokuroria i ka ofruar ish-drejtorit të MEICO-s statusin e të penduarit, duke përdorur si kartë për negociim pasurinë e tij
TIRANË- Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit, pak ditë më parë i ofroi statusin e të penduarit ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari. Burimet e rezervuara pranë Prokurorisë së Tiranës bënë të ditur se tre ditë para delegimit të dosjes së Gërdecit në Prokurorinë e Përgjithshme, tre prokurorë të këtij grupi hetimor kanë kontaktuar në qelitë e paraburgimit "Jordan Misja" me ish-drejtorin Pinari, duke i ofruar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ndërkaq, zyrtarë pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mohojnë se ka qenë një kërkesë konkrete për Pinarin, duke u shprehur se "si me çdo të pandehur, edhe Ylli Pinarit i kemi treguar dhe ofruar të gjitha mundësitë që i jep ligji, duke i pohuar atij se jemi të hapur për çdo gjë". I kontaktuar nga "Shekulli", avokati i Pinarit, Ardian Leka, u shpreh se: "ne si mbrojtës ligjorë, nuk kemi asnjë informacion apo ofertë konkrete nga prokuroria deri më tani. Edhe në kontaktet që kemi pasur me klientin tonë në dhomat e paraburgimit, ai s'na ka thënë se ka pasur ndonjë ofertë të tillë nga prokurorët, përpos procedurës ligjore të ndjekur nga ata, të cilët në mungesën tonë i kanë treguar të drejtat që ia garanton Kushtetua dhe legjislacioni shqiptar",-tha avokat Leka.
***
Por burime të sigurta pranë grupit hetimor, të cilët hetuan çështjen e shpërthimit të Gërdecit konfirmuan se një kërkesë e tillë i është bërë, duke i shpjeguar edhe lehtësitë që sjell në procedim bashkëpunimi me drejtësinë. "Në takimin që kemi pasur në ambientet e paraburgimit "Jordan Misja", disa ditë më parë, personit nën hetim, Ylli Pinari i kemi ofruar edhe mundësinë e bashkëpunimit me drejtësinë. Ky bashkëpunim i është ofruar për të zbardhur hetimet e çështjes së Gërdecit, njëkohësisht për të zbuluar dyshimet e ngritura se nga fabrika e çmontimit të municioneve në Gërdec ka pasur trafik të materialeve ushtarake, pasi ai ka dijeni të plotë mbi tragjedinë dhe tregtinë e municioneve, përfshirë edhe veprimtarinë e kësaj drejtorie prej shumë vitesh",-thuhet nga burimet. Sipas ligjit Nr.9205, datë 15.3.2004 për "Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të Drejtësisë", në rast nënshkrimi të kësaj marrëveshjeje personit të pandehur i ofrohen shumë lehtësi, si për atë vetë, pjesëtarët e familjes dhe pasurinë e tij.
***
Ndërkaq, oferta e kryer nga organi i akuzës sipas këtyre burimeve, ka qenë ajo e përfshirjes së Ylli Pinarit me statusin e "bashkëpunëtorit të drejtësisë", ku në ligjin për "Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të Drejtësisë", kjo pikë parashikohet në nenin 2 të këtij ligji. "Bashkëpunëtor i Drejtësisë është personi që vuan dënimin penal ose është i pandehur në një procedim penal, ndaj të cilit zbatohen masa të posaçme të mbrojtjes, për shkak të bashkëpunimit, njoftimeve dhe deklarimeve të bëra në procedime penale, për vepra penale të parashikuara në pikën 7 të këtij neni dhe që, për këto arsye, ndodhet në gjendje rreziku aktual, konkret dhe serioz"-thuhet në ligj. Gjithashtu, po sipas këtyre burimeve mësohet se organi i akuzës ka verifikuar edhe pasurinë e ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, por ende nuk ka vendosur sekuestrimin e saj, duke e përdorur këtë si kartë negocimi për të "blerë" bashkëpunimin e tij. "Prokuroria menjëherë pas arrestimit të Ylli Pinarit, ka kërkuar nga filialet e bankave në Shqipëri dhe zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të verifikojë dhe evidentojë të gjithë pasuritë që figurojnë nën emrin e Ylli Pinarit. Këto prona dhe llogari nuk janë evidentuar plotësisht dhe po punohet në zbardhjen e të gjitha këtyre të dhënave",-thuhet nga burimet e prokurorisë. Sipas akuzës, tre ditë pas shpërthimit në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec, prokuroria arrestoi drejtorin e MEICO-s, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, administratorin e shoqërisë "Albademil", Mihal Delijorgji dhe kunatin e tij, drejtorin Ekzekutiv, Dritan Minxolli. Mbi dy drejtuesit e kompanisë "Albademil" rëndon akuza e "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive" ndërsa për Pinarin, përveç kësaj akuze, rëndon edhe ajo e "shpërdorimit të detyrës".
Grupi prej 16 hetuesish ka analizuar dje dosjen e shpërthimeve në Gërdec
Gërdeci, kreu i grupit hetimor ndan detyrat
TIRANË- Me caktimin e grupit hetimor që do hetojë me hollësi dosjen e shpërthimit të fabrikës së Gërdecit, 6 prokurorët dhe 10 oficerët e emëruar janë mbledhur që nga ora 9:00 e mëngjesit e deri në orët e pasdites së djeshme për analizimin e provave të mbledhura dhe detyrat që i presin për të kryer. Sipas burimeve pranë akuzës, konfirmohet se gjatë takimit të djeshëm, përveç studimit të provave të mbledhura, drejtori i Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale, Zamir Shtylla, iu ka caktuar detyrat pesë prokurorëve dhe 10 oficerëve. Mësohet se grupi hetimor po kryen verifikimin e pretendimeve të grupit hetimor të prokurorisë së Tiranës, në lidhje me dyshimet e ngritura se ish-Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu me veprimet apo mos veprimet e tij si titullar ka konsumuar elementë të veprës penale "shpërdorim të detyrës" dhe më pas do të vazhdojë me hetimet e mëtejshme. Ndërsa gjatë kohës së drekës,kur grupi hetimor i çështjes ka kryer pushimin, njëri nga prokurorët gjatë një bisede shprehu dyshimet se dosja do të përfundojë në gjykatë vetëm me katër akuza, atë të "kontrabandës me mallra të tjerë"; "falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve"; "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive" dhe asaj të "shpërdorimit të detyrës" për zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes. Grupi hetimor në listën e personave nën hetim deri në ditën e djeshme ka marrë të arrestuarit: Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari, ndërsa në gjendje të lirë dhe nën hetim janë: Drejtori i Logjistikës pranë Ministrisë së Mbrojtjes Dashnor Çaushaj dhe inspektori i MEICO-s për fabrikën e Gërdecit, Sokol Ngjeçi.
Dosja e kontrabandës është në shqyrtim. Prokuroria bëri rekurs për vendimin e pafajësisë
Vendimi i parë për Mihal Delijorgjin, në Gjykatë të Lartë
TIRANË- Vendimi i parë për Mihal Delijorgjin ndodhet në Gjykatën e Lartë. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit të qytetit të Durrësit, e cila e ka deklaruar të pafajshëm Mihal Delijorgjin, prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të Shkallës së Dytë. Kërkesa pranë kësaj gjykate është depozituar në janar të 2008 dhe mban nr. e regjistrimit 12208, ndërkohë që pritet që kjo çështje të kalojë në Dhomën e Këshillimit për të dalë më pas në një vendim për pranimin e shqyrtimit të saj apo refuzimit të këtij rekursi. Biznesmeni i hekurit, Mihal Delijorgji, u mor i pandehur në vitin 2004 nga Prokuroria e Durrësit me akuzat e "falsifikimit të dokumenteve" dhe "kontrabandës me mallra të tjerë". Në kuadër të këtij procedimi penal, ai u arrestua nga policia për t'u lënë në gjendje të lirë në këmbim të garancisë pasurore prej 1 milion dollarësh amerikanë. Dosja në ngarkim të tij i kaloi për shqyrtim togave të zeza të Gjykatës së Durrësit, e cila në përfundim të procesit gjyqësor e shpalli të pafajshëm Delijorgjin për veprën e penale të falsifikimit, ndërsa e dënoi me gjobë prej 10 milionë lekë për akuzën e "kontrabandës me mallra të tjerë". Ky vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë nuk u apelua nga prokurori edhe pse gjykata deklaroi të pafajshëm për veprën penale të falsifikimit. Ky vendim u apelua nga vetë Mihal Delijorgji dhe avokatët e tij mbrojtës pranë Gjykatës së Apelit, ku u gjykua nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Ushtarakë, të cilët në fund të procesit e deklaruan të pafajshëm dhe pushuan çështjen ndaj tij. Këtë vendim, organi i akuzës së Durrësit e apeloi në Gjykatën e Lartë, duke bërë rekurs dhe aktualisht dosja ndodhet në listën e pritjes së shqyrtimit të saj. Mihal Delijorgji, administrator i firmës "Albademil" prej dy javësh ndodhet i izoluar në paraburgimin "Jordan Misja" në Tiranë me akuzën e "shkeljes së rregullave të sigurisë për lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive".